Britania sanksione zyrtarëve rusë dhe sauditë
BKT
   Bota

Britania sanksione zyrtarëve rusë dhe sauditë

Po shtohen thirrjet edhe ndaj Britanisë për të vendosur sanksione kundër shkelësve të të drejtave të njeriut në Kinë, pasi masa të tilla u vendosën kundër dhjetëra individëve nga Rusia dhe Arabia Saudite.

Sanksionet e para të ashtuquajtura 'Magnitsky' u njoftuan të hënën pas vitesh fushate nga miqtë dhe familja e Sergei Magnitsky-t, një avokat rus i vrarë në 2009. Siç raporton Henry Ridgwell nga Londra, kryeqyteti britanik është një qendër për financat dhe industrinë globale të udhëtimeve - kështu që aktivistët shpresojnë që sanksionet të kenë një ndikim thelbësor.

Sergei Magnitsky - një avokat rus që po hetonte korrupsionin shtetëror - vdiq në një burg në Moskë në vitin 2009. Trupi i tij kishte shenja torturash. Askush nuk është dënuar për vdekjen e tij.

Në dekadën që nga ajo kohë, klienti i tij Bill Browder ka luftuar që qeveritë në mbarë botën të vendosin sanksione kundër atyre që janë përfshirë në vrasjen e Magnitsky-t. Fushata shënoi një moment historik të hënën ndërsa Britania njoftoi sanksionet e para.

"Ata që kanë gjak në duar, banditët e despotëve, veglat e diktatorëve, nuk do të jenë të lirë të ecin në këtë vend për të blerë prona në King's Road, për të bërë pazarin e Krishtlindjeve në Knightsbridge ose sinqerisht, për të mbledhur para të pista përmes bankave britanike ose institucioneve të tjera financiare", tha Sekretari i Jashtëm britanik,. Dominic Raab.

Njëzet e pesë zyrtarë rusë që dyshohet se janë përfshirë në vdekjen e Magnitsky-t përballen me ngrirje pasurie dhe ndalime udhëtimi - përfshirë drejtuesit e Komitetit Hetues të Rusisë, të cilët raportojnë drejtpërdrejt tek Presidenti Vladimir Putin, anëtarët e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe gjykatësit.

Rusia i ka kërkuar Interpolit të arrestojë Bill Browder-in shtatë herë me akuza për shmangie taksash. Browder thotë se akuzat janë të pabaza dhe provë e suksesit të fushatës së tij.

"Putin vlerëson paratë më shumë se jetën njerëzore dhe ne kemi krijuar një mekanizëm për t'ia hequr paratë. Kjo është thjesht e pafalshme për të", thotë Bill Browder. drejtor ekzekutiv i firmës "Hermitage Capital Management".

Britania miratoi gjithashtu sanksione të hënën kundër njëzet shtetasve të Arabisë Saudite të akuzuar për vrasjen makabre të gazetarit amerikan Jamal Khashoggi, i cili shkruante për gazetën "The Washington Post". Masa të tjera kanë në objektiv zyrtarët në Mianmar dhe Korenë e Veriut.

Disa ligjvënës britanikë po bëjnë thirrje që Shefja Ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, të shtohet në listën e sanksioneve, pas imponimit nga Kina të një ligji të ri të sigurisë - për të cilin kritikët thonë se shkel të drejtat themelore të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës.

"Kina është ndoshta shembulli kryesor i abuzimit të të drejtave të njeriut, për të cilin duhet të vendosen sanksione. Duhet të ndëshkohen për ato që i kanë bërë popullsisë uigure, për ato që po bëjnë në Hong Kong”, tha zoti Browder.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja tashmë kanë në fuqi legjislacion të stilit Magnitsky. Bashkimi Evropian po punon për një variant të tijin.

"Nëse BE-ja nuk përfshihet, këta njerëz do të blejnë vila në jug të Francës, do t'i mbajnë paratë e tyre në bankat gjermane, dhe do t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat zvicerane. Pra duhet të na bashkohet edhe Evropa", tha zoti Browder.

Britania thotë se është e vendosur të marrë një rol të ri si një dritë globale për të drejtat e njeriut. Analistët thonë se masat do të testojnë ndikimin e Britanisë jashtë BE-së./VOA