Katari mirëpret vendimin e gjykatës së lartë të OKB-së për bllokadën ajrore
BKT
   Bota

Katari mirëpret vendimin e gjykatës së lartë të OKB-së për bllokadën ajrore

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) hodhi posht ankesën nga të katër vendet kundër juridiksionit të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për mosmarrëveshjen.

Katari ka përshëndetur vendimin e gjykatës së lartë të Kombeve të Bashkuara (OKB), me të cilën e mbështet organizatën ndërkombëtare në mosmarrëveshjen me Bahreinin, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) lidhur me bllokadën ajrore kundër Dohas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) hodhi posht ankesën nga të katër vendet kundër juridiksionit të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për mosmarrëveshjen.

Gjykata po ashtu vendosi se bllokada ajrore shkel Konventën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

"Vendimi i GJND-së është një fitore e madhe për Katarin dhe një shuplakë kundër shteteve që imponuan bllokadën", tha Ahmed Bin Saeed Bin Jabor Al-Rumaihi për AA, drejtor i Zyrës së Informacionit të Ministrisë së Jashtme të Katarit.

"Vendimi pasqyron qëndrueshmërinë në pozicionin tonë ndaj vendeve bllokuese që nënvlersojnë ligjet ndërkombëtare", shtoi Al-Rumaihi.

Abdulla bin Nasser Turki Al-Subaey, president i Autoritetit të Aviacionit Civil të Katarit, në twitter shkroi se Katari ka arritur një "fitore historike" mbi shtetet bllokuese.

"Me këtë vendim në favorin tonë, ne do të përfundojmë procedurat për paraqitjen e ankesave të Katarit në ICAO dhe me mëshirën e Allahut, ne do të vërtetojmë edhe një herë se këto vende shkelën marrëveshjet ndërkombëtare para botës", tha ai.

Ndërkaq, ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Katarit, Jassim Saif Ahmed Al-Sulaiti, tha se vendi i tij është "i sigurt se ICAO përfundimisht do t'i shpallë këto veprime bllokuese të paligjshme".

"Ky është i fundit në një seri vendimesh që ekspozojnë mosrespektimin e vazhdueshëm të vendeve bllokuese për ligjin ndërkombëtar dhe proceset e duhura. Hap pas hapi, argumentet e tyre po çmontohen dhe pozicioni i Katarit po verifikohet", tha Al-Sulaiti.

Ndërkohë, ambasadori saudit në Hollandë, Abdulaziz bin Abdullah Abu Hamid dhe ambasadori jo-rezident i Bahreinit në Hollandë, Fawaz bin Mohamed Al Khalifa, u prononcuan në lidhje me vendimin e gjykatës.

Megjithëse të dy ambasadorët theksuan se respektojnë vendimin, ata argumentuan se vendimi konfirmoi juridiksionin e ICAO-s, por sipas tyre nuk ka asnjë efekt mbi temën e mosmarrëveshjes ose bazën e ankesës.

Më 5 qershor të vitit 2017, Arabia Saudite, EBA, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe vendosën bllokadë tokësore, detare dhe ajrore, me shpresën për ta detyruar Katarin që të plotësojë kushtet e paraqitura në një listë të gjatë të kërkesave.

Të katër shtetet akuzojnë Dohan për mbështetje të terrorizmit, një pohim i mohuar zëshëm nga Katari, i cili e përshkruan embargon e drejtuar nga Arabia Saudite si një shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Në vitin 2018, ICAO vendosi se ajo kishte autoritetin të merrej me mosmarrëveshjen e paraqitur nga Katari duke akuzuar fqinjët e saj për shkeljen e një konvente që rregullonte kalimin e lirë të avionëve të saj të pasagjerëve nëpër hapësirën ajrore të huaj.

Por Bahreini, Egjipti, Arabia Saudite dhe EBA refuzuan këtë vendim dhe i apeluan GJND-së që të shpallë vendimin e ICAO-s "të pavlefshëm".

Gjatë tre viteve të fundit, Kuvajti është përpjekur të zgjidhë përçarjen, por përpjekjet e saj kanë rezultuar të pasuksesshme deri më tani.