Britania e Madhe, vaksina e Oksfordit tregon shenja pozitive
Vaksina kundër koronavirusit që po zhvillohet nga Universiteti i Oksfordit në Britani të Madhe po tregon shenja pozitive, pasi provat zbuluan se pjesëmarrësit po krijojnë qeliza që mund të shkatërrojnë sëmundjen.
Kështu bëjnë me dije mediet britanike, sipas të cilave, ekipi i shkencëtarëve në Oksford tashmë ka thënë se ata janë ‘80 për qind ‘të sigurt se mund të kenë një të tillë në dispozicion deri në shtator.
Provat kanë zbuluar se vaksina po provokon një reagim të antitrupave në trup dhe të qelizave T, që do të shkatërrojnë virusin në trup.
Rreth 8,000 britanikë po marrin pjesë në një testim të madh të vaksinës së Oksfordit, e cila është duke u prodhuar nga firma farmaceutike AstraZeneca.
Pyetja kryesore është nëse vaksina do t’i mbrojë ata nga infektimi, apo thjesht t’i bëjë ata më pak të sëmurë.
Ajo mund të funksionojë edhe më pak te njerëzit e moshuar sepse sistemet e tyre imunitare janë më të dobëta, sipas medieve britanike.























