Protesta të reja në Bullgari me kërkesë për dorëheqje të Qeverisë

Protesta të reja në Bullgari me kërkesë për dorëheqje të Qeverisë

Për të shtatën ditë me radhë po mbahen protesta antiqeveritare në Sofje.

Demonstruesit u tubuan sot pasdite rreth orës 17:00 sipas kohës lokale dhe pritet që protesta të vazhdojë deri natën vonë, lajmëruan mediumet bullgare. Është përforcuar prania e policisë në kryeqytetin bullgar.

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov e hodhi poshtë kërkesën e presidentit Rumen Radev, që qeveria e tij e koalicionit, e përballur me protesta masive antiqeveritare, të japë dorëheqje, raporton ALSAT.

“Dorëheqja e kësaj qeverie nuk do ta përmirësojë situatën”, tha Borisov para takimit të qeverisë dhe i bëri thirrje opozitës të ndihmojë në tejkalimin e krizës.

Ai paralajmëroi se pasojat nga pandemia ndaj ekonomisë bullgare do të jenë shumë serioze dhe tha se në samitin e BE-së, të premten, do të angazhohen që Bullgaria të marrë ndihmë financiare nga fondi për rikuperim nga kriza e koronës, që duhet të paraqesë 750 miliardë euro (857 miliardë dollarë amerikanë).

Mijëra bullgarë protestojnë me ditë nëpër rrugët e Sofjes, duke kërkuar dorëheqjen e Borisovit dhe kryeprokurorit të shtetit, duke i akuzuar për korrupsion dhe sjellje mafioze. Protestat, ndërkohë, u zgjeruan në qytetet bregdetare Varnë dhe Burgaz si dhe Pllovdiv në jug.

Protestat filluan pasi që kryeprokurori Ivan Geshev urdhëroi bastisjen e kabinetit të presidentit dhe arrestimin e dy bashkëpunëtorëve të Radevit.

Geshev e akuzoi Radevin për sjellje jokushtetuese, duke “cicëruar” se e ka shkelur pavarësinë e gjyqësisë dhe ka kryer presion ndaj prokurorisë.

Protestat i mbështetë Partia socialiste opozitare, votat e së cilës në vitin 2016 e sollën Radevin president. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë caktuar për në mars të vitit të ardhshëm.