Pacientët me kancer shumë më të rrezikuar nëse infektohen me koronavirusi
BKT
Shëndetësi

Pacientët me kancer shumë më të rrezikuar nëse infektohen me koronavirusi

Mikkael Sekeres, mjek specialist për leukeminë akute në Shtetet e Bashkuara, thotë se pacientët me kancer kanë shanse të njëjta sikurse edhe njerëzit e tjerë që të kapin koronavirusin, por rreziku për t’u sëmurë rëndë te ta është shumë më i lartë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjasat e tyre që të sëmuren rëndë, madje edhe të vdesin, janë ndoshta pesë herë më të mëdha.

Sekeres, i cili është autor i librit “When blood breaks down – Life lessons from leukemia” [Kur gjaku prishet – Mësime jetësore nga leukemia], po ashtu tërheq vërejtjen se situata e krijuar me koronavirus ka shtyrë diagnostikimet e kancerit, sëmundjes që “është aq e frikshme ose më e frikshme se Covid-19”.

Doktor Sekeres, ju punoni në Departamentin e Hematologjisë dhe të Mjekësisë Onkologjike në Klinikën Cleveland në Ohajo të Shteteve të Bashkuara. Cila është ajo këshilla e parë, kryesore, që u jepni pacientëve tuaj me kancer, në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit?

Mikkael Sekeres: Unë kam specializuar për leukeminë akute dhe një nga pacientët e mi më ka thënë se duket sikur e gjithë bota ka leukemi, për shkak të kujdesit që gjithkush duhet të bëjë për t’u mbrojtur nga Covid-19. Mendoj se ka pasur shumë të drejtë.

Kur unë flas me pacientët e mi u jap shumë këshilla të ngjashme që u kam dhënë për kohë të gjatë. Secili me sistem të cenueshëm imunitar e di se kur del në publik duhet të veshë maskë, të jetë vazhdimisht i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që prek dhe më pas të lajë duart apo të përdorë dezinfektues, si dhe të jetë i kujdesshëm ndaj kontakteve përreth. Pra, këshillat që japim tani për secilin janë të njëjta me ato që u japim njerëzve, të cilëve kanceri ua ka goditur sistemin imunitar.

Por, shumë pacientë me kancer e kanë aq të brishtë sistemin imunitar për shkak të trajtimeve. A ka ndonjë masë të veçanë që ndiqni apo që duhet ndjekur?

Mikkael Sekeres: Gjithçka që kam lexuar tregon se edhe pse pacientët e mi nuk janë më të cenueshëm se unë apo se ju ndaj kontraktimit të Covid-19, gjasat e tyre që të sëmuren rëndë nëse e kapin virusin, madje edhe të vdesin, janë ndoshta pesë herë më të mëdha se të juajat, të miat apo të dikujt në grup-moshën e njëjtë.

Prandaj, kërkoj nga pacientët e mi që të vazhdojnë t’i praktikojnë gjërat e sigurta, si edhe përpara, të vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar.

Pra, pacientët me kancer janë në rrezik më të lartë…

Mikkael Sekeres: Ata nuk janë në rrezik më të madh nga kapja e virusit, por janë në rrezik më të madh për t’u sëmurë rëndë nëse e marrin virusin, sidomos pacientët që e kanë sistemin imunitar të prekur nga kanceri ose nga trajtimi i kancerit – për shembull pacientët e mi me leukemi ose pacientët me kancer në mushkëri, frymëmarrja e të cilëve mund të jetë tashmë e rënduar [nga sëmundja bazë – kanceri.


MË SHUME NGA Shëndetësi