Hong Kong, rastet e konfirmuara me COVID-19 rriten në afër 2 mijë
Autoritetet shëndetësore në Hong Kong kanë sugjeruar të vendoset një kufizim lëvizjeje pasi rajoni për të dytën ditë radhazi raportoi të paktën 100 raste me koronavirusin e ri (COVID-19).
E përditshmja South China Morning Post raportoi se rajoni gjysmë-autonom i Kinës gjatë ditës së fundit raportoi 108 raste të reja me koronavirus, ndërsa një ditë më parë raportoi 100 raste.
Që nga shpërthimi i pandemisë në Hong Kong, kjo është hera e parë që rajoni raporton një numër treshifror të rasteve të reja të regjistruara.
Rastet e reja kanë çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në afër 2 mijë, ndërkohë që 12 persona kanë vdekur shkaku i koronavirusit.
Shefja ekzekutive e Hong Kongut dje njoftoi masa të reja kundër-epidemike, duke e bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në të gjitha vendet e mbyllura publike.
Ekspertët mjekësorë në rajon paralajmëruan se rastet e reja treshifrore "duket se do të vazhdojnë në ditët e ardhshme dhe ndoshta ende nuk kanë arritur kulmin".
"Një kufizim i lëvizjes është i nevojshëm nëse situata vazhdon të përkeqësohet", tha Prof. David Hui Shu-cheong, një ekspert i sëmundjeve infektive.
Që nga shfaqja e parë në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa SHBA, Brazili, India dhe Rusia aktualisht janë vendet më të prekura në botë.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, në gjithë botën janë konfirmuar mbi 14,4 milionë raste me COVID-19, prej të cilave mbi 605.200 kanë vdekur dhe mbi 8,1 milionë janë shëruar. (AA)























