Statistika të frikshme në SHBA: Për çdo minutë vdes një person nga Covid-19
Për çdo minutë një person humb jetën nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas statistikave të fundit.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar 1,461 vdekje të reja nga virusi korona, shifër ditore kjo më e larta që është regjistruar që prej 27 majit, shkruajnë mediet e huaja, transmeton lajmi.net.
Vdekjet nga Covid-19 po rriten në një ritëm të shpejtë përbrenda dy muajve të fundit. Vetëm përgjatë 11 ditët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë pasur 10 mijë vdekje.
Kalifornia, Florida dhe Teksasi janë tri shtetet me numrin më të lartë ditor të viktimave me virusin që vjen nga familja Sars-Cov2.
Instituti i Universitetit të Uashingtonit për Vlerësim dhe Metrika Shëndetësore parashikoi në mars se pandemia mund të vriste më se 81,000 njerëz deri në korrik.
Dr Anthony Fauci dhe Dr Deborah Birx, të dy anëtarët e task forcës së Shtëpisë së Bardhë, kanë thënë se ka shenja që virusi mund të rritet në Jug dhe Perëndim, ndërsa zonat e tjera ishin në prag të shpërthimeve të reja.























