Amerika Latine dhe Karaibet me mbi 5 milionë raste me COVID-19

Amerika Latine dhe Karaibet me mbi 5 milionë raste me COVID-19

Ky rajon ka regjistruar gjithsej 202.390 vdekje dhe 5.000.614 raste të konfirmuara, me Brazilin dhe Meksikën si vende më të prekura, të ndjekura nga Peru, Kolumbia dhe Kili.

Amerika Latine dhe Karaibet shënuan momente të reja dhe të zymta, duke tejkaluar 5 milionë raste të konfirmuara me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe mbi 200 mijë vdekje, transmeton Anadolu Agency.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, ky rajon ka regjistruar gjithsej 202.390 vdekje dhe 5.000.614 raste të konfirmuara, me Brazilin dhe Meksikën si vende më të prekura, të ndjekura nga Peru, Kolumbia dhe Kili.

- Brazili

Numri i personave të infektuar nga koronavirusi në Brazil ka shkuar pothuajse në 2.8 milionë, prej të cilëve 94 mijë kanë vdekur.

Pavarësisht rritjes së madhe të rasteve me COVID-19 ditëve të fundit, qytetet më të mëdha dhe të prekura të Brazilit, Sao Paulo dhe Rio de Janeiro, po rihapin bizneset dhe po heqin kufizimet e karantinës.

Epidemiologët paralajmërojnë se numri i vdekjeve mund të rriten në mënyrë eksponenciale.

- Meksika

Meksika tejkaloi Mbretërinë e Bashkuar, duke u renditur si vendi i tretë më i prekur në botë nga koronavirusi, pas SHBA-ve dhe Brazilit. Vendi ka hequr masat e kufizimit të vendosur në fillim të këtij muaji.

Meksika, me një popullsi prej rreth 129 milionësh, ka raportuar mbi 439 mijë raste të konfirmuara me këtë virus dhe 47.746 vdekje.

- Kolumbia

Kolumbia raportoi një rekord të ri të rasteve ditore të koronavirusi, pasi 10.199 infeksione të reja u regjistruan gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 327.850 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.

Megjithatë, presidenti Ivan Duque njoftoi se restorantet dhe aktivitetet sportive do të rifillojnë në muajin shtator.

- Bolivia

Qeveria e përkohshme e Bolivisë tha se ka vendosur të përfundojë vitin shkollor 2020 më herët për shkak të paaftësisë për të siguruar një arsim efektiv në internet.

Ministri i Presidencës, Yerko Nunez, u tha gazetarëve se "pjesa dërmuese e zonave rurale nuk kanë internet" dhe se fibra optike "për fat të keq arrin vetëm në qytete".

Sipas tij, nxënësit e shkollave do të kalojnë vitin automatikisht.

Bolivia ka raportuar gjithsej 80.153 raste të koronavirusit dhe 3.153 vdekje.