Ukraina shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit

Ukraina shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Ukrainë janë regjistruar 1,271 raste të koronavirusit. Kjo është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Numri i rasteve të reja në shtetin e Evropës Lindore është rritur në masë të ndjeshme në dy muajt e kaluar pasi autoritetet i lehtësuan disa nga masat kufizuese, përfshirë rihapjen e kafeneve, kishave dhe fillimin e funksionit të transportit publik.

Ministri ukrainas i Shëndetësisë, Maksym Stepano, kërkoi nga njerëzit që t’i respektojnë masat kufizuese që ende janë në fuqi, shkruan “The Guardian”.

“Ukrainas, lufta kundër koronavirusit është e pamundur pa ju. Rregullat janë shumë të thjeshta: përdorimi i maskave, antiseptikëve dhe distanca një metër e gjysmë. Zbatimi i këtyre rregullave të thjeshta e zvogëlon në masë të konsiderueshme rrezikun nga sëmundja”, tha ai përmes një deklarate të transmetuar në televizion.

Deri më tani, Ukraina i ka regjistruar mbi 75,000 persona të infektuar dhe gati 1,788 viktima të koronavirusit. Ndërkohë mbi 41,000 të prekur janë shëruar deri më 5 gusht.