Farmacistët kërkojnë kthimin e vendimit për çmimin e barnave

Farmacistët kërkojnë kthimin e vendimit për çmimin e barnave

Farmacistët kërkojnë kthimin e vendimit që rregullon çmimin e barnave, paralajmërojnë protesta.

Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka mbajtur konferencë për medie lidhur me vendimin e fundit të Ministrit të Shëndetësisë për Shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Nënkryetarja OFK-së Dardane Mehaj, ka thënë se vendimi i ministrit të MSH-së, Armend Zemaj për shfuqizimin e çmimeve të barnave është skandaloz.

Ajo ka thënë se me këtë vendim lulëzon krimi i organizuar she kontrabanda me barna.

Mehaj i ka bërë thirrje ministrit dhe kryeministrit ta shfuqizojnë këtë vendim, përndryshe ajo tha se pasojnë protestat.

“Ne ju kemi ftuar që Zemaj e ka shfuqizuar vendimin për rregullimin e çmimeve të barnave që është nënshkruar atëherë nga ish-ministri Ismaili dhe që ka qenë në atë kohë vendim shumë i mirëpritur për ne. Ky vendim i djeshëm është vendim skandaloz sidomos në këtë kohë të pandemisë. Me rregullimin e çmimit të parë përpos që fiton pacienti në këtë rast, kishim fituar të gjithë e aq më shumë ne. Shfuqizimi i këtij vendimi lulëzon krimin e  organizuar dhe kërkojmë menjëherë që të anulohet .Në të kundërtën pasojnë edhe protesta”.

Ndërsa, nënkryetar i OFK-së Gjon Gegaj ka thënë se me këtë udhëzim më së shumti përfitues do të ishin qytetarët e vendit.

“Ky udhëzim do ti mundësojë qytetarëve të kenë barna të lira dhe të sigurta. Ne kemi pasur kërkesa për oksigjen dhe na me u marr me gjëra të tjera në këtë kohë të pandemisë është e pa përgjegjshme. Ne bëjmë apel që ky vendim të anulohet. Ky shfuqizim do të thotë se ka shumë paqartësi juridike”

Sekretar i OFK-së Taulant Bajrami ka theksuar se  një vendim i tillë përmban paqartësi juridike.

“Këshilli drejtues i Odës ka qenë në një takim urgjent ku ka vendosur ti drejtojë dy kërkesa zyrës së kryeministrit për anulimin e këtij vendimi, sepse i njëjti  bie ndesh me udhëzimin administrativ dhe presim një reflektim të shpejtë, dhe mbi këtë kërkesë ne i jemi drejtuar kryeministrit të nxjerrë një vendim me të cilin e anulon vendimin e ministrit të shëndetësisë. Vendimi i tillë përmban paqartësi juridike. Ne do të jemi pjesë e këtij takimi rreth orës 14:00 që na ka ftuar ministri Zemaj, ka thënë ai./eo