Katari, Iraku dhe Jordania dërgojnë 4 spitale fushore në Liban

Katari, Iraku dhe Jordania dërgojnë 4 spitale fushore në Liban

Kryqi i Kuq i Libanit njoftoi se në shpërthimin e ndodhur në Bejrut humbën jetën 100 persona dhe u plagosën 4 mijë të tjerë.

Katari, Iraku dhe Jordania dërguan 4 spitale fushore në Liban pas shpërthimit të ndodhur dje në kryeqytetin Bejrut ku si pasojë kanë humbur jetën 100 persona dhe janë plagosur mijëra të tjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve NNA, thuhet se Libani është përgatitur të presë nga Katari dy spitale fushore me kapacitet 500 shtretër, një spital fushor nga Iraku, një sasi nafte për t’u përdorur në periudhën e krizës dhe ndihma të dërguara nga Franca.

Në lajm lidhur me përmbajtjen e ndihmave të dërguara nga Franca nuk është dhënë informacion.

Ndërsa në një deklaratë nga zyra mbretërore e Jordanisë thuhet se Libanit i është dërguar një spital fushor përfshirë edhe personel shëndetësor.

Kryeministri i Irakut, Mustafa Al-Kadhimi, në një deklaratë me shkrim bëri të ditur se vendi i tij i ka dërguar Libanit një avion të veçantë të ngarkuar me pajisje mjekësore emergjente.

Edhe ministria ruse e Emergjencës ka njoftuar se dërgoi pesë avionë me ndihma humanitare në Liban.

Në njoftim, ministria ruse tha se avionët do të ofrojnë spital mobil, specialistë të shpëtimit dhe mjekësisë, pajisje dhe furnizim të ilaçeve.

Të gjithë specialistët do të pajisen me kostume speciale dhe pajisje mbrojtëse, duke marrë parasysh pandeminë e koronavirusit të ri(COVID-19), thuhet më tej.

Ndërsa ish-kryeministri i Libanit, Saad Hariri, në një deklaratë nga rrjetet sociale tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo dhe se sekretari Pompeo i ka premtuar se do të dërgojnë ndihma emergjente.

Dje në portin e Bejrutit fillimisht u përhap një zjarr në depon numër 12 ku ndodheshin lëndë shpërthyese, dhe më pas ndodhi një shpërthim shumë i fuqishëm që tronditi Bejrutin.

Kryqi i Kuq i Libanit njoftoi se në shpërthimin e ndodhur në Bejrut humbën jetën 100 persona dhe u plagosën 4 mijë të tjerë.