COVID-19, vazhdon të rritet numri i të vdekurve në Brazil, Indi dhe Meksikë
BKT
   Bota

COVID-19, vazhdon të rritet numri i të vdekurve në Brazil, Indi dhe Meksikë

Për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), në 24 orët e fundit në Brazil janë shënuar 1.437 vdekje, në Indi 904 dhe në Meksikë 829.

Ministria e Shëndetësisë e Brazilit njoftoi se me 57.152 raste të reja që janë regjistruar në 24 orët e fundit, ka arritur në 2.859.073 numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në vend, ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 97.256.

Qendra tregtare e vendit, rajoni Sao Paulo me një popullsi prej rreth 46 milionë banorësh, është rajoni më i prekur në vend nga pandemia me 585.265 raste dhe 24.109 vdekje nga COVID-19.

Ndërkohë numri i personave të shëruar nga virusi ka arritur në 2.020.637.

Me një popullsi prej më shumë se 211 milionë banorësh, Brazili aktualisht është vendi i dytë më i prekur në botë pas SHBA-së.

- Indi

Ministria e Shëndetësisë së Indisë tha se në 24 orët e fundit, në vend janë shënuar 56.282 raste të reja, duke e rritur në 1.964.536 numrin e rasteve, ndërsa me 904 vdekjet e reja në 24 orët e fundit, është rritur në 40.699 numri i viktimave nga COVID-19.

Deri më tani, numri i personave që janë shëruar nga COVID-19 në Indi ka arritur në 1.328.336.

Sipas faqes së internetit "Worldometer", e cila përpilon të dhënat në lidhje me COVID-19, India radhitet në vendin e tretë në botë për sa i përket numrit të rasteve.

- Meksikë

Ministria e Shëndetësisë së Meksikës njoftoi se me 829 vdekjet e reja të shënuara në 24 orët e fundit, numri i viktimave nga COVID-19 në vend është rritur në 49.698. Ndërkaq, me 6.139 raste të reja, është rritur në 456.100 numri i të infektuarve me COVID-19.

Deri më tani, në vend janë shëruar 304.708 persona të prekur me COVID-19.

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Meksikë tejkaloi për herë të parë shifrën 500 më 27 maj. Në Meksikë, rasti i parë me COVID-19 u regjistrua më 28 shkurt, ndërsa vdekja e parë më 19 mars. (AA)