Trumpi shton presionin ndaj pronarëve të aplikacionit kinez Tiktok
BKT
Tech

Trumpi shton presionin ndaj pronarëve të aplikacionit kinez Tiktok

Trumpi shton presionin ndaj pronarëve të aplikacionit kinez Tiktok dhe synon shitjen e tij tek kompanitë amerikane. Microsoft mund të dalë fitues i lumtur nga përleshja politike mbi aplikacionin.

Me urdhërin, i cili do të hyjë në fuqi brenda 45 ditësh, Presidenti amerikan Donald Trump, u ndalon amerikanëve të bëjnë biznes me Bytedance, pronarin kinez të Tiktok-ut. Aplikacioni i videos paraqet një "kërcënim" për sigurinë kombëtare, thuhet në një urdhër. Aplikacioni mbledh sasi të mëdha të dhënash të përdoruesve dhe i mundëson  Partisë Komuniste Kineze të spiunojë amerikanët, thuhet në të. Trumpi kërkoi kohët e fundit që aplikacioni t'i shitej një kompanie amerikane. Me urdhrin e tanishëm ai duket se po e ngul këmbë për këtë. Nëse urdhri nuk shpallet i pavlefshëm nga gjykata, Tiktok-u për 45 ditë nuk do të jetë më i disponueshëm në SHBA.

Trump u ndaloi qytetarëve amerikanë të bëjnë biznes edhe me aplikacionin kinez të mediave sociale WeChat ose pronarët e tij. Ky urdhër gjithashtu do të hyjë në fuqi brenda 45 ditësh për arsye të sigurisë kombëtare, tha ai. Urdhri mund të çojë në një ndalim të aplikacionit në Shtetet e Bashkuara. Aplikacioni i kompanisë Tencent Holdings është jashtëzakonisht i popullarizuar në Kinë, por ka përdorim të kufizuar në Shtetet e Bashkuara. Aplikacioni u ofron përdoruesve shërbimet e një rrjeti social, shërbimin e dërgimin të mesazheve dhe një shërbim pagese. Edhe Bytedance dhe Tencent deri tani nuk i kanë komentuar masat. Aksionet e Tencent tani kanë rënë me më shumë se katër përqind.

Përshkallëzim i marrëdhënieve të tensionuara

Qeveria në Pekin i kritikoi urdhrat e presidentit amerikan me fjalë të ashpra. Ky është një akt "manipulimi dhe shtypjeje politike arbitrare", tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze në një konferencë për shtyp. Sidomos ndalimi i Tiktokut do të jetë disavantazh për përdoruesit dhe kompanitë në SHBA.

Veprimi i Trumpit shënon vërtet një përshkallëzim të ri në marrëdhëniet e tensionuara me Pekinin. Gjigandi i softuerëve Microsoft u pozicionua pas presionit masiv politik nga Shtëpia e Bardhë dhe deklaroi se do të marrë përsipër biznesin amerikan të Tiktokut. Kompania planifikon të negociojë një marrëveshje me Bytedance deri në mes të shtatorit. Operacionet e Tiktokut në Kanada, Australi dhe Zelandën e Re pritet të jenë gjithashtu pjesë e marrëveshjes, tha Microsoft. Evropa nuk u përmend.

Microsoft thotë se dëshiron të sigurojë që të gjitha të dhënat personale të qytetarëve amerikanë të transferohen në Shtetet e Bashkuara dhe të mblidhen vetëm atje. Shtëpia e Bardhë citoi raporte, sipas së cilave aplikacioni ishte shkarkuar 175 milion herë në SHBA.

Fitim për Microsoftin kundrejt Facebookut

Microsoft mund të dalë fitues i lumtur nga përleshja politike mbi aplikacionin - kompania e softuerëve nuk ka ende një biznes të vetin në median sociale. Krahas biznesit të tij thelbësor Microsofti u bë mjaft i suksesshëm, sidomos me ofertat e reja Cloud për kompanitë. Në biznesin me konsumatorët kompania shfaqet kryesisht me Xbox-in. Me marrëveshjen për Tiktokun gjigandi i Windows papritmas do të bëhej një konkurrencë e vërtetë për Facebookun. Se ç'shumë duhet të paguajë Microsofti për Tiktokun është ende e paqartë. Por ajo duhet të jetë një shifër dyshifrore në miliarda./DW


MË SHUME NGA Tech