Një qark në Teksas pa asnjë rast me COVID-19

Një qark në Teksas pa asnjë rast me COVID-19

Teksasi renditet i treti për nga numrin i rasteve të COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa shumica qyteteve në këtë shtet po lufton sëmundjen, një konte në veriperëndim të Teksasit, deri më tani, nuk ka asnjë rast të koronavirusit mes banorëve të tij. Por jeta nuk është ende plotësisht normale atje.

Në kontenë Borden të Teksasit, nuk ka mjekë apo dyqane ushqimore. Popullsia atje është më pak se 700 njerëz, dhe 40% e tyre jetojnë në qytetin Gejëll.

“Në se kalon me makinë, mund edhe të mos e vësh re”, thotë Austin Buchanan, nxënës i shkollës së mesme.

Konteja Borden është e veçantë në Teksas si vendi ku asnjë banorë nuk është prekur nga COVID-19.

"Të gjithë janë padyshim të kujdesshëm, edhe pse jemi pa COVID. Ne duam të qëndrojmë pa COVID, dhe kjo shton edhe më tepër kujdesin", thotë Austin Buchanan, nxënës i shkollës së mesme

Babai i nxënësit të shkollës së mesme, Austin Buchanan, që është edhe mësuesi i tij i matematikës, thotë se ka një arsye që ky komunitet është pa COVID. Jetesa në distancë shoqërore nga njëri-tjetri është pjesë e së përditshmes në këtë komunitet rural.

“Është pjesë e jetës këtu. Ne jemi të izoluar. Ne nuk shkojmë në qytet çdo ditë. Nuk jemi rreth shumë njerëzve përditë. Për disa njerëz, kjo është një barrë, por kohët e fundit ka qënë bekim”, thotë Richard Buchanan.

Por Austini është i shqetësuar për vitin e ri shkollor, pasi zyrtarët e shkollës po zhvillojnë një plan në një situatë që vazhdon të ndryshojë.

“Duke qenë maturant, ky është viti im i fundit për mua në shkollën e mesme. Dua që gjithçka të jetë ashtu siç duhet të jetë. Dhe COVID ka ndikuar patjetër".

Kjo për shkak se qarqet përreth kontesë Borden kanë patur raste të konfirmuara me COVID-19. Nëse shkollat jashtë kontesë Borden vendosin të jenë vetëm online, është e paqartë se çfarë do të thotë kjo për ekipet e atletikës. Austin merr pjesë në çdo sport të ofruar në shkollë.

Zyrtari i kontesë, Ross Sharp thotë se mund të jetë vetëm çështje kohe përpara se COVID-19 të hyjë në Borden.

“Fillimi i shkollës është një nga gjërat kryesore të shqetësimit tim. Të paktën gjysma e nxënësve tanë vjen nga jashtë kësaj konteje”.

Rreziku i prekjes nga koronavirusi është gjithashtu në mendjen e Austinit.

"Nuk kemi një dyqan ushqimor këtu, kështu që për të shkuar dhe për të marrë ushqime, duhet të udhëtojmë 50 kilometra në qytetin më të afërt. Duhet të kemi parasysh rastet atje".

"Ne përpiqemi të bëjmë çmos të mos ekspozohemi dhe ta sjellim këtu. Sigurohemi që të vemë maska kur jemi në komunitete të tjera. Është një lehtësim që ne nuk kemi patur asnjë rast pozitiv këtu. Ka qenë mirë që nuk e kemi atë shqetësim. Dhe shpresojmë, që të qëndrojmë kështu", thotë Richard Buchanan.

Por Austin nuk është aq optimist, duke e ditur që Teksasi po përpiqet të rihapet.

"Njerëzit kanë filluar të udhëtojnë përsëri, dhe ne po përpiqemi të kthehemi në rutinat tona normale. Mendoj se një ditë di të ndodhë. E di që është një nga ato gjëra që vetëm mund ta ngadalësosh”.

Ai thotë se mund të bëjë atë që i takon për të qëndruar i sigurt dhe shpreson se do t'i shohë miqtë e tij personalisht për një vit tjetër para se të largohet nga Borden për në kolegj. /VOA