Fillon votimi për Senatin në Egjipt
BKT
   Bota

Fillon votimi për Senatin në Egjipt

Sipas Autoritetit Kombëtar të Zgjedhjeve, rreth 63 milionë qytetarë kanë të drejtë të votojnë.

Egjiptianët sot votojnë për dhomën e re të lartë, Senatin, për herë të parë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Votimi dyditor për 200 nga 300 vendet e Senatit filloi në orën 09:00 të mëngjesit sipas kohës lokale. 100 senatorët e tjerë do të emërohen nga presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, i cili erdhi në pushtet pasi rrëzoi presidentin e zgjedhur Mohamed Morsi në grushtin ushtarak të vitit 2013.

Siguri e lartë është vendosur dhe janë marrë masa paraprake si pasojë e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas Autoritetit Kombëtar të Zgjedhjeve, rreth 63 milionë qytetarë kanë të drejtë të votojnë. Egjiptianët jashtë vendit kanë hedhur tashmë votat e tyre të dielën dhe të hënën.

Rezultatet priten më 19 gusht. Partitë e opozitës thonë se Senati i ri i ngjan Këshillit të Shuras (1980 - 2012), i cili u shpërnda në vitin 2014 për akuzat e korrupsionit dhe mungesës së autoritetit.

Vitin e kaluar, egjiptianët votuan në referendum në favor të ndryshimeve që përfshinin rikthimin e dhomës së lartë.