Ia huq Trumpi: Gripi Spanjoll ndoshta i dha fund Luftës së Dytë Botërore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e bëri një gafë të rëndë të hënën, duke thënë se Gripi Spanjoll, i cili ishte përhapur në vitin 1918, ndoshta i ka dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, e cila ka filluar në vitin 1939 dhe ka përfunduar në vitin 1945.
Ai madje e përmendi gabimisht edhe vitin e Gripit Spanjoll. “Gjëja më e afërt është në vitin 1917, thonë, pandemia e madhe. Ajo sigurisht që ishte një gjë e tmerrshme, kur ata humbën mes 50 deri 100 milionë njerëz, ndoshta kjo i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Të gjithë ushtarët ishin të sëmurë. Ajo ishte një situatë e tmerrshme”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan ishte duke iu referuar Gripit Spanjoll, që kishte shpërthyer në vitin 1918 dhe kishte zgjatur deri në vitin 1920, shkruan USA Today.
Lufta e Dytë Botërore filloi në vitin 1939 dhe përfundoi në vitin 1945 me dorëzimin e Japonisë pasi Shtetet e Bashkuara hodhën bomba atomike në dy qytete japoneze.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti Trump ishte duke folur për Luftën e Parë Botërore, kur më shumë ushtarë kishin vdekur nga sëmundja sesa nga lufta në betejë.
Sidoqoftë, as Lufta e Parë Botërore nuk ka përfunduar zyrtarisht për shkak të Gripit Spanjoll. Fundi i saj erdhi pasi Gjermania nënshkroi armëpushim pas humbjeve të mëdha në fushëbeteja.























