Keqmenaxhimi në QKUK, letër Kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë

Keqmenaxhimi në QKUK, letër Kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë

COVID 19 është sëmundje infektive. E shkakton virusi SARS COV19. Pandemia është aktuale dhe menaxhimi i saj gjithëpërfshirës është i domosdoshëm. Pasojat e pandemisë, përkatësisht menaxhimit të saj manifestohen në shëndetin e popullatës, ekonomi, gjendjen psikike kolektive dhe individuale…  

Karakteristikat e virusit duhet të studioj mikrobilogu. Sëmundjen, manifestimet e saja në individ i studion infektologu, ndërsa me parandalim të sëmundjes në popullatë merret epidemiologu. Mjekët tjerë duhet të përcjellin të dhënat aktuale dhe të kujdesen për të sëmurët që i kanë në mbikëqyrje.   

Pra, jo të gjith duhet të dinë çdo gjë, apo të bëhen se dinë çdo gjë!  

COVID 19 është sëmundje infektive dhe duhet shëruar nga infektologu!   

Në QKUK janë formuar reparte, edhe klinika të tëra të cilat merren me shërimin e COVID 19. Po në këto Reparte dhe Klinika nuk ka infektolog!? Bile nuk e bëjnë as mbikqyrjen. Të gjithë infektologët janë të përçëndruar në Klinikën Infektive me 100 pacientë. Këto reparte nuk kanë protokoll mjekimi të cilin duhet përpiluar (apo aprovuar) nga infektologu – si të diagnostikohen dhe shërohen pacientët nga COVID 19. Kështu virusi u fut në mënyrë aktive kudo në QKUK, në klinikat vitale. Bile edhe aty ku mjekohen kategoritë të popullatës më të ndjeshme, siç janë shtatzënat…  

Keqmenaxhim i qartë – pëson pacienti, sepse mjekët me specializime të ndryshme thjeshë nuk janë kompetent për mjekim të pacientëve me sëmudnje infektive – rrezikojnë pacientin, por edhe veten duke e rritë enormë numrin e punëtorëve shëndetësor të infektuar. Me këtë ulet potenciali i shpërbemeve shëndetësore.  

Anesteziologët  

Anesteziologët janë profesionist të veçantë, pa ta nuk realizohen operimet që shpëtojnë jetë. Janë të aftësuar që të mbajnë funksionet vitale të njeriut deri sa kryhen operimet më të komplikuara. Janë të aftësuar për punë me respirator, makina të cilat sigurojnë në mënyrë artificiale oksigjenimin kur organizmi vet nuk është në gjendje të bëjë këtë. Komplikimet më trishtuese të COVID 19 janë në mushkëri dhe atëherë shumë nevojitet respiratori dhe anesteziologu! Për të bërë punën sa më funksionale, logjika thotë që respiratorët të grumbullohen në një vend në mënyrë që të mbikqyren me sa më pak anesteziolog.   

Anesteziologët, sipas menaxhimit të tanishëm në QKUK duhet të mbikëqyrin 24 orë dy kujdese intenzive qendrore, respiratorët në objektin e mjekësisë sportive, në Klinikën Infektive, intenziven në gjinekologji, kardiokirurgji, si dhe operimet urgjente që bëhen në klinika (gjinekologji, ofatlmologji, ORL, kirurgji…), besa janë edhe në komisione të ndryshme. Këta njerëz janë shumë të vlefshëm për sistem shëndetësor, por nuk janë supermen, do të lodhen, do t’i humbim! Keqmenaxhim!  

Shërbimet vitale  

Qendra Klinike Universitare është institucion i vetëm publik ku jepen shërbime të Kardiokirurgjisë, Neurokirurgjisë, Kirurgjisë Vaskulare, Kardiologjisë Invazive… Mjekët dhe infermierët në këto shërbime janë ngusht të specializuar, prandaj duhet të ruhen që të janë të aftë në çdo kohë për dhënje të shërbimit për të cilin janë aftësuar! Jo, kjo nuk përfillet, dërgohen në reparte ku merren me pacient të dyshuar apo pacientë të verifikuar që kanë COVID 19! Këto resurse me vite merren me patologji të ngushtë dhe janë më pak kompetent për mjekimin e pacientëve me simptoma të zakonshme të sëmundjeve infektive: kolla, temperatura, barkqitja… Njëkohësisht ulet potenciali për dhënje të shërbimeve mjekësore të veçanta në QKUK. Kjo vlen edhe për infermierë – transferohen me dhjetëra e qindra nga reparti në repart. Keqmenaxhim!  

Në prapavij interesa tjera?  

Kardiologjia Invazive vitin e kaluar ka realizuar 3335 koronarografi. Janë realizuar PCI procedura (stentime) te 1638 pacientë, mbi 1200 në infarkt akut të zemrës. Më së shumti nga gjith institucionet në Ballkan. Në këtë vit është vazhduar trendi i njetë sa i përket rasteve akute. Mjerisht me urdhna të ndryshme janë ndaluar procedurat elektive (jourgjente). Por, duket se në spitale private ato vazhdojnë?! Apo me urdhensa selektive mund të vazhdojnë edhe në QKUK, si tendenca që të operohen fëmijë nga mjek të jashtëm që ishte disa ditë më parë?!  

Më tepër, në QKUK hapësira e veprimit të Kardiologjisë Invazive zvogëlohet në minimum. Bëhen jo funksional 17 shtertër të intensives kardiologjike. Zvogëlohen edhe kapacitetet të mjekimit intensiv (ku mjekohen pacient pas traumave në komunikacion, pas komplikimeve të operimeve të rënda, pacienta në komë)… Keqmenaxhim ekstrem!  

Dhe në fund, a janë zhdukur sëmundjet tjera – shputa diabetike me gangrenë, karcinoma e gjirit, infakti i zemrës, pika në tru, sëmundjet psikike … si të trajtohen këta të sëmurë kur janë suprimuar shërbimet jourgjente shëndetësore? Do të pritet në pafundësi për operime të sëmundjeve malinje, vaskulare, intervenimeve kardiologjike në institucione publike apo do të lihet kjo sferë vetëm për institucionet private?!   

Në gjithë boten, analizat dëshmojnë se vdekshmëria nga patologjia jo COVID është rritë, është cenuar gjendja psikike e popullatës dhe individit. Te ne është ndryshe?!    

Zotëri të nderuar, menaxhimi apo keqmenaxhimi i COVID pandemisë në Kosovë është në duar tuaja – aspektet informative, sociale, ekonomike, të sigurisë…, por edhe shëndetësore, e këtu QKUK luan rol qendrorë!  

Dr Tefik Bekteshi, mjek në QKUK