Siemens do të furnizojë me energji Libanin e goditur nga shpërthimet

Siemens do të furnizojë me energji Libanin e goditur nga shpërthimet

Kompania ofron të sigurojë një total prej 80 megavat energji elektrike për rreth 150 mijë banorë apo 10 për qind të popullsisë së Bejrutit.

Kompania Siemens Energy ka ofruar furnizim me energji elektrike për Libanin pas shpërthimit masiv në fillim të javës së kaluar në kryeqytetin Bejrut i cili la shumë të vdekur dhe të plagosur dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha, njoftoi kompania në një deklaratë, transmeton Anadolu Agency (AA)

Kompania u zotua të furnizojë një total prej 80 megavat (MW) energji elektrike për rreth 150 mijë banorë apo 10 për qind të popullsisë së Bejrutit.

Siemens Energy do të sigurojë dy turbina të gazit SGT-A45 mobile që mund të ndihmojnë sigurimin e energjisë elektrike emergjente për qytetin.

"Duke pasur parasysh dëmtimin e infrastrukturës lokale, shërbimet jetike si spitalet kanë nevojë urgjente për energji elektrike të qëndrueshme dhe kjo zgjidhje e shpejtë mund të sigurojë mbështetje të konsiderueshme për qytetin dhe popullsinë e tij", thuhet në deklaratë.

Kompania tha se shpërndarja dhe fillimi i prodhimit të energjisë do të ndodhin brenda 6 deri në 12 javët e ardhshme.

"Të dy njësitë do të sigurohen për një vit falas. Përdorimi i këtyre njësive do të jetë me vlerë rreth 40 milionë dollarë në vit", shtohet më tej.

"Ne jemi të gatshëm të sigurojmë furnizim të besueshëm, të përballueshëm me energji elektrike për popullin e Libanit dhe t'i ndihmojmë ata të rindërtojnë vendin e tyre", citohet të ketë thënë në një deklaratë, Christian Bruch, drejtori ekzekutiv i Siemens Energy.

Rreth 180 persona humbën jetën në shpërthimin e 4 gushtit që ndodhi në kryeqytetin e Libanit, pasi një depo me 2.750 ton nitrat amoniumi u përfshi nga zjarri. Rreth 6.000 njerëz u plagosën dhe 300 mijë të tjerë mbetën të pastrehë.

Shpërthimi ndodhi në një kohë kur Libani është ballafaquar me një krizë të rëndë financiare, përveç pandemisë së koronavirusit.

Vendi i Lindjes së Mesme është zhytur në trazira që nga fundi i tetorit të kaluar kur planet për rritjen e taksave detyruan ish-kryeministrin Saad Hariri të linte detyrën.