Në Berlin nisin analizat diagnostikuese ndaj Navalnyt
Doktorët në spitalin në Berlin, kanë nisur t’i kryejnë analiza të “gjera” diagnostikuese liderit opozitar rus, Aleksei Navalny. “Pas kryerjes së kontrollove dhe pas konsultimit edhe me familjen, doktorët do të komentojnë mbi sëmundjen dhe hapat e tjerë të trajtimit. Kontrollet do të marrin kohë deri sa të kryhen”, tha ky spital në një postim në Twitter.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha se gjetja e shkakut se pse Navalny – kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin – ra në gjendje kome “është kruciale”.
“Shpresoj se të gjithë ata që mund të kontribuojnë për t’i dhënë përgjigje kësaj dileme, do ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Steinmeier, i cili po ashtu tha se mbështet kauzën e Navalnyt.
“I uroj zotit Navalny shërbim, jo vetëm të shpejtë, por të plotë, ta ketë shëndetin e plotë në mënyrë që të vazhdojë punën tha ai.
Navalny arriti më herët gjatë të shtunës në Berlin nga qyteti siberian, Omsk, pas dyshimeve se ishte helmuar.
Themeluesi i organizatës joqeveritare “Cinema for Peace” – avioni i së cilës barti Navanlyn nga Rusia në Gjermani – Jaka Bizilij, tha se gjendja shëndetësore e opozitarit rus, është “stabile”.
“Gjendja e Navalnyit gjatë fluturimit dhe pas aterrimit është stabile”, tha ai për gazetën gjermane, Bild.
Por, më vonë, Bizilj shtoi se gjendja shëndetësore e Navalnyt është “mjaft shqetësuese”.
“Ne morëm një mesazh të qartë nga doktorët se nëse avioni me të cilin ai po udhëtonte nuk do të bënte aterrimin emergjent në Omsk, ai do të vdiste”, tha Bizilj.
Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, po ashtu shkroi në Twitter se “avioni që barte Aleksein ka aterruar në Berlin”.
Fluturimi nga Rusia për në Gjermani u pengua që të ndodhte më parë, për shkak se autoritetet ruse deklaruan se Navalny nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore që të udhëtonte. Por, familja e tij dhe aleatët insistuan që ai të mjekohej jashtë vendit.
“Vështirësitë për jetën e Alekseit dhe shëndetit të tij sapo kanë filluar, por tashmë është bërë hapi i parë”, ka shkruar më herët në Twitter, zëdhënësja Kira Yarmysh.























