Netanyahu pranon shtyrjen e buxhetit për të shmangur zgjedhje të reja
Çështja e aprovimit të buxhetit vjetor ka qenë thelbi i mosmarrëveshjeve midis palëve të qeverisë së koalicionit..
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu të dielën tha se ka pranuar të zgjasë bisedimet për buxhetin kombëtar për 100 ditë në mënyrë që të shmangë dërgimin e vendit në zgjedhjet të katërta parlamentare në më pak se dy vjet, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Tani është koha për unitet dhe jo për zgjedhje", tha Netanyahu.
Ligjvënësit duhej të kalonin një buxhet kombëtar ose të miratonin një zgjatje 100-ditore më së voni deri të hënën në mesnatë ose Kneseti izraelit do të shpërndahej, duke i hapur rrugë zgjedhjeve në nëntor.
Ndërkohë, në një prononcim për gazetën e përditshme "Yedioth Ahronoth", ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz, drejtuesi i partisë "Kaltër dhe Bardhë", akuzoi Netanyahun për manipulime politike.
Çështja e aprovimit të buxhetit vjetor ka qenë thelbi i mosmarrëveshjeve midis palëve të qeverisë së koalicionit.
Netanyahu ka mbështetur miratimin e një buxheti një vjeçar për vitin 2020 ndërsa Gantz po bënte presion për një plan dy vjeçar.
Izraeli ka zhvilluar tri palë zgjedhje më 6 prill dhe 17 shtator të vitit të kaluar dhe 2 mars të këtij viti.
Pas zgjedhjeve të marsit, partia Likud e udhëhequr nga Netanyahu dhe partia "Kaltër dhe Bardhë" e Gantz u dakorduan të formojnë qeveri koalicioni më 20 prill.
Sipas marrëveshjes tre vjeçare për ndarjen e pushtetit, Netanyahu do të shërbejë si kryeministër për 1.5 vitet e para dhe Gantz do të marrë postin për 1.5 vitet e tjera.























