Bali mbyllet për turistët deri në fund të vitit 2020
Ishulli indonezian Bali nuk do të jetë i hapur për turistët gjatë këtij viti, për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin.
Autoritetet e vendit shumë të njohur për turistët kanë thënë më herët se vizitorët e huaj do të lejohen nga muaji i ardhshëm, por një plan i tillë ndryshoi për shkak të rasteve në rritje me COVID-19 në Indonezi.
Ky ndryshim ka ringritur shqetësimet se çfarë ndikimi do të ketë një vendim i tillë tek vendasit, për shkak se ekonomia varet pothuajse krejtësisht nga turizmi.
Miliona turistë udhëtojnë drejt Bali secilin vit në kërkim të plazheve të virgjëra, fushave të famshme të orizit dhe tempujve të rrallë Hindu, transmeton Klan Kosova.
Por, numri i vizitorëve ka rënë ndjeshëm, për shkak se Indonezia mbylli kufijtë për jovendasit – ashtu siç kanë bërë pothuajse të gjitha shtetet si masë parandaluese për COVID-19.
Që nga fundi i muajit korrik, ishulli i është kthyer vizitorëve vendasë për ta ndihmuar industrinë e shkatërruar të turizmit – zemrën e ekonomisë lokale – duke rihapur plazhet, tempujt dhe momumentet e tjera.
Por, hotelet dhe restorantet janë përpjekur të mbijetojnë, derisa shumë punëtorë të tyre janë kthyer në shtëpitë e tyre në fshatra dhe qyteza të vogla për të fituar të ardhura.


























