Kryeministri libian nis ri-organizimin urgjent të kabinetit mes protestave
"Më duhet të deklaroj një emergjencë për të formuar një qeveri krize. Ri-organizimi urgjent do të bëhet larg nga pëlqimi dhe kuotave. Nuk do të lejoj rrënimin e legjitimitetit tonë dhe hyrjen e Libisë në një tunel të errët", tha al-Sarraj.
Kryeministri i Libisë, Fayez al-Sarraj, ka njoftuar fillimin e një ri-organizimi të kabinetit të tij mes protestave në kryeqytetin Tripoli, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri libian u prononcua në një intervistë televizive në lidhje me shpërthimin e demonstratave masive në Tripoli kundër përkeqësimit të kushteve të jetesës dhe korrupsionit.
"Më duhet të deklaroj një emergjencë për të formuar një qeveri krize. Ri-organizimi urgjent do të bëhet larg nga pëlqimi (i disa grupeve) dhe kuotave. Nuk do të lejoj rrënimin e legjitimitetit tonë dhe hyrjen e Libisë në një tunel të errët", tha al-Sarraj.
Megjithatë, al-Sarraj tha se nuk kanë kontrollin "e të gjithë tokës së atdheut".
Ai këmbënguli duke bërë thirrje për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në muajin mars, duke theksuar se "e vetmja mënyrë politike për të shpëtuar atdheun është ri-krijimi i pushtetit përmes zgjedhjeve".
Kryeministri libian theksoi se ka disa parti që nuk dëshirojnë mbajtjen e zgjedhjeve për interesa të tyre, por sipas tij "zgjedhjet do t'i japin fund luftës mbi pushtetin në Libi".
Të premten, Këshilli Presidencial i qeverisë libiane të njohur ndërkombëtarisht dhe Dhoma e Përfaqësuesve me bazë në Tobruk, e cila mbështet komandantin luftarak të forcave jolegjitime me bazë në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, u pajtuan për një armëpushim të menjëhershëm.
Dy deklaratat e tyre u takuan në pika të përbashkëta, veçanërisht ajo e armëpushimit dhe e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
Marrëveshja u mirëprit gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht nga vendet arabe, ndërsa milicia e Haftar-it e refuzoi atë.
Al-Sarraj deklaroi gatishmërinë e tij për të zbatuar çdo marrëveshje që plotëson pranimin dhe konsensusin e të gjitha aktorëve libianë dhe u bëri thirrje protestuesve libianë të mos tërhiqen në thirrjet për sabotim mbi përkeqësimin e kushteve të jetesës.
"Kam urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që të mbrojnë demonstruesit paqësorë", u shpreh ai.
Ai po ashtu theksoi se ka njerëz të armatosur që depërtojnë në protestat paqësore dhe se ata kanë kryer akte të sabotimit dhe të trazirave në mënyrë që të rrëzojnë prestigjin e shtetit libian.
Al-Sarraj bëri thirrje për rifillimin dhe eksportimin e naftës, si dhe ndalimin e politikave të urisë ndaj popullit libian.
Ai po ashtu falënderoi shtetin e Turqisë, duke theksuar se, "Unë qëndrova me libianët në një kohë kur shumë na braktisën".
Libia është kapluar nga një konflikt që nga rrëzimi i udhëheqësit Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re u themelua katër vite më vonë, në vitin 2015, nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate deri më tani kanë dështuar për shkak të një ofensive ushtarake nga Haftar-i.
Që nga prilli i vitit 2019, forcat e Haftar-it kanë nisur sulme në Tripoli dhe në pjesë të tjera të Libisë veriperëndimore, duke rezultuar në mbi 1 mijë vdekje, përfshirë shumë civilë. Haftar mbështet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Rusia, ndërsa qeveria e njohur nga OKB në Tripoli mbështetet nga Turqia dhe Katari.























