Përdorimi i internetit në Kosovë nga fëmijët
Sot bëhet prezantimi publik i rezultateve të Projektit të Hulumtimit Shkencor që ka të bëjë me përdorimin e internetit në Kosovë nga fëmijët e moshës 11-16 vjeçare.
Prezantimi do të mbahet në ambientet e Bibliotekës Universitare të Kolegjit AAB.
Në këtë prezantim do të jepen rezultatet e dala nga ky hulumtim, për pyetjet e mëposhtme:
- Sa kohë qëndrojnë online nxënësit e moshës 11-16 vjeç?
- Për çfarë e përdorin ata internetin?
- Sa kohë i përdorin rrjetet sociale dhe dëgjojnë muzikë nga Youtube dhe sa kohë e përdorin internetin për detyrat shkollore?
- Cilat janë rreziqet online të kësaj grupmoshe (nga konsumimi i produkteve me përmbajtje pornografike, cyberbullizmi, njohjet online dhe takimet offline)?
- Cili është roli i shkollës dhe i ndërmjetësimit prindëror për rreziqet online?
Ky projekt është realizuar nga Kolegji AAB, në konsulencë me Universitetin e Peruxhas (Itali) dhe është mbështetur financiarisht nga MASH. Hulumtimi është realizuar gjatë vitit 2019, në 34 shkolla të Kosovës. Pjesë nga rezultatet e këtij hulumtimi janë prezantuar edhe në konferencën më të madhe për komunikimet (IMACR) e mbajtur në Madrid https://iamcr.org/madrid2019























