Një muaj pas shpërthimit në Liban, qeni dikton frymëmarrje nën gërmadha
Ekipet e shpëtimit në kryeqytetin e Libanit besojnë se në ndërtesat e rrëzuara nga shpërthimi tragjik i muajit të kaluar mund të ketë ende persona të gjallë.
Zbulimi u njoftua mbrëmjen e së enjtes, pas operacioneve të kërkimit me qenër të stërvitur për ngjarje të tilla.
Mësohet se në një nga godinat e Bejrutit afër epiqendrës së shpërthimit, që dikur shërbente si lokal në katin e parë, u diktuan lëvizje dhe frymëmarrje poshtë strukturës së shembur.
“Ekipi i shpëtimit nga Kili lëshoi qenin e vet për të nuhatur dhe na sinjalizoi një person të vdekur. Sot erdhëm me pajisjet më të specializuara dhe diktuam një puls, rreth 18 frymëmarrje në minutë, që duke marrë parasysh edhe temperaturën, na bën të besojmë se ka shenje jete.”
Kërkimet për trupin e dyshuar u zhvilluan deri vonë për t’u ndërprerë para mesnatës për shkak të paqëndrueshmërisë së mureve mbajtëse të strukturës.
Makineri më të rënda për ngritjen e gërmadhës u siguruan vetëm mëngjesin e së premtes.
“Tentuam të futeshim në një tunel të vogël por shufrat e hekurit na penguan rrugën. Nuk duam të vëmë në rrezik jetën e asnjërit prej kolegëve tanë sepse shufrat po mbanin një pjesë të gërmadhës ndërsa kamerat na treguan se muret lëvizën rreth 2 centimetra gjatë operacionit.”
Shpërthimi i 4 gushtit në një port të Bejrutit u mori jetën mbi 200 personave, plagosi 6 mijë të tjerë dhe la 300 mijë banorë pa shtëpi.
Incidenti u shkaktua nga zjarrvënia e një sasie prej më shumë se 2,700 tonë nitrat amoni që ruhej prej 7 vitesh pa masa sigurie në një nga magazinat e kryeqytetit libanez, neglizhencë e cila i kushtoi politikisht edhe qeverisë tashmë të dorëhequr, pas protestave civile.























