Stoltenberg: Helmimi i Navalny-t kërkon përgjigje ndërkombëtare
BKT
   Bota

Stoltenberg: Helmimi i Navalny-t kërkon përgjigje ndërkombëtare

Ambasadorët e Aleancës së Atlantikut të Veriut u mblodhën sot në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar mbi tentativën për vrasjen e politikanit rus të opozitës, Alexey Navalny.

Gjermania raportoi para vendeve të tjera anëtare në Këshillin e Atlantikut të Veriut për gjetjet toksikologjike nga laboratori i tyre i specializuar, për të cilat ka prova jashtë ç’do dyshimi se Navalny është helmuar me një agjent nervor ushtarak të grupit Novichok, siç deklaroi në një konferencë për shtyp edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

“Përdorimi i një arme të tillë është i tmerrshëm, dhe të gjithë aleatët e mbledhur sot ishtin të bashkuar në dënimin e këtij sulmi. Çdo përdorim i armëve kimike tregon një mungesë totale respektimi për jetët njerëzore, dhe përbën një thyerje të papranueshme të normave dhe rregullave ndërkombëtare.”

Sekretari i Përgjithshëm shtoi se aleatët e NATO-s u dakortësuan se Rusia duhet tashmë t’ju përgjigjet pyetjeve tepër serioze, dhe se qeveria ruse duhet që të bashkëpunojë plotësisht me organizatën për ndalimin e armëve kimike për një hetim të pavarur ndërkombëtar për këtë rast. Stoltenberg kërkoi gjithashtu dërgimin para drejtësisë të përgjegjësve të këtij sulmi ndërsa deklaroi se NATO i bën thirrje Rusisë të ofrojë zbulimin e plotë të programit të saj Novichok ndaj Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), njofton euronews.

"Kemi parë shumë herë e në mënyrë të përsëritur sulmet dhe kërcënimet me jetë të udhëheqësve të opozitës dhe kritikëve të regjimit rus. Disa edhe janë vrarë. Prandaj ky nuk është vetëm një sulm kundër një individi, por kundër të drejtave themelore të demokracisë. Dhe është një shkelje serioze e ligjeve ndërkombëtare, gjë që kërkon një përgjigje ndërkombëtare.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përfundoi duke thënë se aleatët do të vijojnë konsultimet dhe do të marrin në konsideatë implikimet e këtij incidenti. Herën e fundit që Rusia përdori helmin Novichok në territorin e vendeve aleate të NATO-s, 7 diplomatë rusë u përjashtuan nga delegacioni i këtij vendi pranë NATO-s, i cili për momentin numëron 20 veta personel në misionin rus. Por përgjigja e NATO-s mund të shkojë edhe më tej, siç shpjegoi vetë Stoltenberg, pasi përdorimi i nervit kimik ka shkelur ndalimin e përdorimit të këtyre armëve dhe bëhet fjalë për një shkelje të rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare.