Rusia përgatitet të dërgojë 1.000 mercenarë nga Siria në Libi
Mercenarët do të dërgohen nga zonat në Sirinë lindore që janë nën kontrollin e regjimit të Asadit, veçanërisht rrethi verilindor Qamishli.
Rusia po përgatitet të dërgojë 1.000 mercenarë nga Siria për të përforcuar forcat e paligjshme të komandantit renegat Khalifa Haftar në lindje të Libisë, bëjnë të ditur burimet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mercenarët do të dërgohen nga zonat në Sirinë lindore që janë nën kontrollin e regjimit të Bashar al-Asadit, veçanërisht rrethi verilindor Qamishli.
Ata janë midis moshës 20 dhe 45 vjeç dhe secili do të marrë 2.000 dollarë në muaj për të qenë pjesë e forcave të Haftarit për pesë muaj, theksuan burimet.
Rusia dërgoi rreth 300 luftëtarë në Libi në muajin maj për një periudhë prej tre muajsh.
Vlerësohet se Moska ka dërguar gati 5.000 mercenarë nga Siria për t'u bashkuar me milicitë e Haftarit në Libi.
Së bashku me mercenarët rusë, forcat e Haftarit përfshijnë gjithashtu militantë Janjaweed nga Sudani dhe rebelë nga Çadi.
Libia u përfshi nga lufta civile që nga rrëzimi i sunduesit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Qeveria e re u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të një ofensive ushtarake nga Haftari.
OKB-ja e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritetin legjitim të vendit. Turqia po ashtu ka qenë mbështetëse kryesore e qeverisë.
Megjithatë, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusia dhe Franca kanë mbështetur Haftarin dhe të ashtuquajturën Ushtri Kombëtare Libiane të tij.























