“Ka vend për ju, turpi i BE-së”, kërkohet evakuimi i refugjatëve nga Greqia
Zjarret shkatërruan kampin më të madh të migrantëve në Greqi duke lënë afro 13,000 njerëz pa strehë. Në Gjermani, mijëra qytetarë u solidarizuan me të prekurit duke kërkuar evakuimin e tyre drejt shteteve të tjera europiane.
Mijëra demonstrues gjermanë kanë apeluar qeverinë dhe Bashkimin Europian të evakuojnë refugjatët e mbetur pa strehë nga zjarret që rrafshuan të mërkurën kampin e Morias në Greqi, transmeton oranews.
Tubime qytetare u raportuan në qytetet gjermane si Berlini, Lajpcigu, Hamburgu e Frankfurti ku protestuesit njëzëri u solidarizuan me emigrantët e prekur dhe kërkuan nga shtetet europiane që individualisht t’i japin përparësi krizës më të fundit humanitare.
Sipas zyrtarëve europianë, bëhet fjalë për fatin e rreth 12,600 emigrantëve që deri dje strehoheshin në ishullin grek të Lesbosit.
“Njerëzit atje duhet të vijnë dhe të jetojnë normalisht te ne, jo si në ferr. Prandaj jemi këtu, që t’u themi se qyteti i Frankfurtit, Gjermania, ka vend për ta. Kjo jona është edhe demonstratë kundër ministrit të brendshëm Horst Zehofer që po pengon përpjekjet e landeve gjermane t’i marrë këta njerëz.”
Liga Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut iu bashkua tubimeve gjermane me moton “Ka vend për ju!”, ndërsa në pankartat e qytetarëve shkruhej “Evakuoni Morian” dhe “Turpi i BE-së”.
Flakët që u ndezën në orët e para të ditës dogjën të mërkurën pjesën më të madhe të kampit të Morias, strehat provizore me kontejnerë dhe tenda, dhe ua la pak kohë emigrantëve të shpëtonin sendet e tyre personale.
Një vatër e re zjarri shkrumboi gjatë mbrëmjes një pjesë të mbetur të kampit duke mbuluar me tym të zi qiejt e Lesbosit.
Qeveria greke një ditë më parë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në ishull dhe dërgoi përforcime për të ruajtur rendin nga përplasjet e mundshme mes emigrantëve.
Rreth 2 mijë persona u vendosën përkohësisht në një anije pasagjerësh dhe në dy mjete të flotës greke, ndërsa për pjesën tjetër të popullatës refugjate nuk u dhanë detaje.
Autoritetet thanë se po hetojnë pistën e zjarrvënies së qëllimshme pasi disa banorë të kampit që ditët e fundit rezultonin bartës të infeksionit me Covid-19 kishin refuzuar karantinën dyjavore.























