Era shkakton më shumë zjarre në Kaliforni, Oregoni në rrezik
BKT
   Bota

Era shkakton më shumë zjarre në Kaliforni, Oregoni në rrezik

Guvernatorja e shtetit Oregon, Kate Brown, tha se zjarret në shtetin e saj mund të çojnë në "humbjen më të madhe në jetë njerëzish dhe në prona" në historinë e Oregonit.

Zyrtarët amerikanë të Departamentit të Mbrojtjes së Pyjeve dhe Zjarrit (CalFire) shprehen se erërat e forta mund të shkaktojnë rritjen e ndjeshme të më shumë zjarreve në Kaliforni, ndërsa fqinji i saj verior, shteti Oregon, përballet me një rrezik masiv nga flakët, transmeton Anadolu Agency (AA).

CalFire njoftoi se është afër frenimit të më shumë zjarreve të muajit të kaluar, por, sipas këtij departamenti, disa zjarre u nxitën nga erëra të forta që arrijnë deri në 55 milje (88,5 kilometra) në orë në zonat malore dhe kodrinore.

Në llogarinë në Twitter, CalFire njoftoi se zjarri në verilindje të liqenit Shaver në Qarkun Fresno shtrihet në 166.965 hektarë dhe zjarret kryesore në Santa Clara, Alameda, Contra Costa, San Juaquin, Stanislaus, Merced dhe San Benito shtrihen në 396.624 hektarë, me 96 për qind të frenuara.

Përderisa që nga e mërkura afërsisht 14 mijë zjarrfikës po luftonin me 28 zjarre masive në gjithë Kaliforninë, zjarret kanë djegur mbi 2,5 milionë hektarë në këtë shtet që nga fillimi i këtij viti, duke shkaktuar edhe vdekjen e tetë personave dhe dukë lënë mbi 3.700 struktura të shkatërruara.

Qielli mbi qytetin më të madh metropolitan San Francisco u kthye në ngjyrë portokalli për shkak të dhjetëra zjarreve afër Zonës së Gjirit.

Në fqinjin verior të Kalifornisë, në shtetin Oregon, guvernatorja Kate Brown tha se zjarret në shtetin e saj mund të çojnë në "humbjen më të madhe në jetë njerëzish dhe në prona" në historinë e Oregonit.

"Ne ndodhemi në një rast të paparë të zjarrit. Disa zjarre në rritje në gjithë shtetin vazhdojnë të përhapen për shkak të motit të nxehtë, të thatë dhe nga erërat e forta", njoftoi Brown në rrjetet sociale.

Departamenti kundër zjarreve në qytetin Portland të Oregonit njoftoi se që nga e hëna iu përgjigj mbi 500 zjarreve, shifër e cila shënon një rritje të papritur nga gjithsej 152 përgjigje në tri ditët e mëparshme.

Disa ekspertë fajin e vënë te ndryshimet klimatike, kushtet ekstreme të motit të nxehtë dhe të thatë, si dhe erërat e forta, pasi më shumë se 12 mijë goditje rrufesh në muajin gusht shkaktuan flakë të përhapura në gjithë Kaliforninë.

Sipas studimit të drejtuar nga Universiteti Stanford me bazë në Kaliforni, temperaturat u rritën rreth 1 gradë celsius në Kaliforni, ndërsa reshjet shënuan një rënie prej 30 për qind që nga viti 1980. Studimi theksoi se kjo dyfishoi numrin e ditëve të vjeshtës, kur kushtet ekstreme dhe rreziku i zjarreve janë në nivelin më të lartë.

Deri më tani këtë vit, sipas Qendrës Kombëtare të Zjarrfikjes, kostoja totale e zjarreve vlerësohet të jetë mbi 800 milionë dollarë.