NATO & BE: Përshëndesim bisedimet ndërafgane për paqen
Aleanca ushtarake e NATO-s dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur fillimin e bisedimeve të paqes në Katar midis qeverisë afgane dhe talebanëve.
NATO, që i jep mbështetje ushtarake qeverisë së Kabulit, tha se do të ishte e gatshme të rishikonte praninë e saj në Afganistan nëse kushtet lejojnë mbështetjen e procesit të paqes.
Këshilli drejtues i aleancës gjithashtu u bëri thirrje talebanëve që “të ndërmarrin hapa vendimtarë drejt dhënies fund të dhunës”, duke akuzuar se sulmet e lëvizjes islamike ndaj forcave qeveritare po minonin besimin në proces dhe po mbanin dhunën në një nivel “të lartë dhe të papranueshëm”.
Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell përshëndeti hapjen e bisedimeve si një “moment thelbësor” dhe u kërkoi palëve ta shoqëronin atë me “një armëpushim të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, mbarëkombëtar dhe të pakushtëzuar”.
Qeveria afgane dhe militantët talebanë kanë hapur sot zyrtarisht bisedimet e tyre të para për paqen në Doha, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike pas gati dy dekadash luftë.
Folësit kryesorë në ceremoninë e hapjes së të shtunës përfshijnë kryetarin e Këshillit të Lartë të Afganistanit për Pajtimin Kombëtar, Abdullah Abdullah, sekretarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe bashkëthemeluesin dhe shefin politik të talebanëve, mullah Abdul Ghani Baradar.
Ngjarja, të cilën palët ndërluftuese e quajtën historike, shënon herën e parë që talebanët dhe qeveria e Afganistanit takohen ballë për ballë pas gati 20 vjet konflikti.
Talebanët gjithmonë e kanë quajtur qeverinë afgane një kukull të Perëndimit dhe nuk kanë pranuar të negociojnë.























