Rritet bilanci i viktimave nga COVID-19 në Indi, Brazil dhe Meksikë
BKT
   Bota

Rritet bilanci i viktimave nga COVID-19 në Indi, Brazil dhe Meksikë

Për shkak të koronavirusit në 24 orët e fundit në Indi janë shënuar 1.315 vdekje, në Brazil 1.201 ndërsa në Meksikë 629.

Për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) në 24 orët e fundit në Indi janë shënuar 1.315 vdekje, në Brazil 1.201, ndërsa në Meksikë 629, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Ministria e Shëndetësisë së Indisë, në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 90.123 raste të reja, duke e rritur në 5.020.359 numrin e të infektuarve, ndërsa me 1.315 vdekjet e reja, numri i viktimave nga COVID-19 është rritur në 82.091.

Deri më tani, numri i personave që janë shëruar nga COVID-19 në Indi ka arritur në 3.942.360.

Sipas faqes së internetit "Worldometer", e cila përpilon të dhënat në lidhje me COVID-19, India radhitet në vendin e dytë në botë për sa i përket numrit të rasteve.

Brazil

Ministria e Shëndetësisë së Brazilit njoftoi se me 38.689 raste të reja që janë regjistruar në 24 orët e fundit, ka arritur në 4.384.299 numri i rasteve me COVID-19 në vend, ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 133.207 me 1.201 vdekje të reja.

Ndërkohë, numri i personave të shëruar nga virusi ka arritur në 3.671.128.

Me një popullsi prej më shumë se 211 milionë banorësh, Brazili pas SHBA-së dhe Indisë radhitet i treti në botë përsa i përket numrit gjithsej të rasteve.

Meksikë

Ministria e Shëndetësisë së Meksikës njoftoi se me 629 vdekjet e reja të shënuara në 24 orët e fundit, numri i viktimave nga COVID-19 në vend është rritur në 71.678. Ndërkaq, me 4.771 raste të reja, numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur në 676.487.

Deri më tani, në vend janë shëruar 481.068 persona të prekur me COVID-19.

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Meksikë tejkaloi për herë të parë shifrën 500 më 27 maj. Në Meksikë, rasti i parë me COVID-19 u regjistrua më 28 shkurt ndërsa vdekja e parë më 19 mars.