Trupi i Afrikës Perëndimore kërkon qeveri kalimtare në Mali

Trupi i Afrikës Perëndimore kërkon qeveri kalimtare në Mali

"Terroristët po përfitojnë nga situata në Mali për të forcuar pushtetin e tyre dhe junta ushtarake tashmë duhet të kishte vendosur një qeveri të re", tha presidenti i Ganës, Nana Akufo-Addo.

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) u takua me juntën ushtarake të Malit në kryeqytetin e Ganës, Akra, për të arritur një zgjidhje përfundimtare për situatën politike në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Terroristët po përfitojnë nga situata në Mali për të forcuar pushtetin e tyre dhe junta ushtarake tashmë duhet të kishte vendosur një qeveri të re, por kjo nuk është bërë", tha Nana Akufo-Addo, president i Ganës dhe i trupit ECOWAS, në fjalimin e tij të hapjes.

Për këtë qëllim, tha ai, "ngjarjet e fundit duhet të na shtyjnë ta zgjidhim këtë situatë sa më shpejtë të jetë e mundur".

"Jam i bindur se ky takim i ri midis përfaqësuesve të ECOWAS-it dhe udhëheqësve ushtarak në Bamako do të na mundësojnë të gjejmë një zgjidhje përfundimtare", tha Akufo-Addo.

Ai po ashtu udhëzoi juntën ushtarake që pa u vonuar t'ia dorëzojë pushtetin një qeverie kalimtare të udhëhequr nga civilët. Organi i Afrikës Perëndimore po ashtu ka kërkuar që zgjedhjet e reja të mbahen brenda një viti.

Megjithatë, të dielën, vendi miratoi një statut tranzicioni që duhet të krijojë një qeveri kalimtare për 18 muaj dhe të caktojë një president të përkohshëm, qoftë nga ushtria apo një civil, por deri më tani asgjë nuk është bërë.

"Sot supozohet të jetë dita kur junta supozohet të vendosë për një qeveri, e cila duhet t'i plotësojë kriteret që kemi përcaktuar në muajin gusht. Kjo nuk është përmbushur", tha Akufo-Addo.

Takimi midis juntës së Malit dhe krerëve të vendeve të Afrikës Perëndimore po ashtu synon të zgjidhë situatën e embargos së vendeve fqinje të Malit, por edhe të heq sanksionet tregtare që kanë rënduar popullin e Malit që nga grusht shteti i 18 gushtit që detyroi ish-presidentin, Ibrahim Boubacar Keita të japë dorëheqje.

Këto sanksione përfshijnë mbylljen e kufijve dhe ndërprerjen e fluksit financiar me Malin.

Për Akufo-Addo, Mali nuk mund ta përballojë më tej vonesën e një qeverie kalimtare.