Kreu i OKB-së thotë se bashkëpunimi me Venezuelën është "pozitiv"
Antonio Guterres u bëri thirrje autoriteteve në Venezuelë që të marrin "seriozisht" raportin e hetuesve të OKB-së.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përshëndeti bashkëpunimin e Venezuelës me trupin ndërkombëtar si një hap optimist kundrejt pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut.
Duke theksuar se kishte një "zhvillim të ri" në lidhje me të drejtat e njeriut në Venezuelë, Guterres e vlerësoi si një hap "pozitiv" përpara faktin që Venezuela vendosi "bashkëpunim të fuqishëm" me Zyrën e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut dhe vendimin e tij për të rritur numrin e zyrtarëve ekzistues.
Komentet e tij erdhën gjatë një konference për media ku ai u pyet në lidhje me një raport nga hetuesit e OKB-së të paraqitur sot që akuzon presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, si dhe ministrat e tij për kryerjen e shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut dhe ndalime arbitrare.
"Kjo është shumë shqetësuese dhe kjo duhet të merret shumë seriozisht nga autoritetet e Venezuelës", tha ai.
Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 6 dhjetorit, Guterres tha se OKB "mund të bëjë monitorimin e zgjedhjeve" vetëm nëse Asambleja e Përgjithshme ose Këshilli i Sigurimit jep mandat për këtë.
Autorët e raportit, Marta Valinas, Francisco Cox Vial dhe Paul Seils, punuan në një mision për gjetjen e fakteve i cili filloi shtatorin e kaluar për të hetuar shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut në Venezuelë gjatë pesë viteve të fundit.























