Pentagoni rrit praninë ushtarake në Siri

Pentagoni rrit praninë ushtarake në Siri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës rritën praninë e tyre ushtarake në Siri pas një serie përplasjesh me forcat ruse, të cilat kanë rritur tensionet në vend, raporton BBC.

Zyrtarët amerikanë konfirmuan se gjashtë automjete ”Bradley” dhe rreth 100 ushtarë janë pjesë e vendosjes ushtarake në Sirinë Verilindore.

Incidentet midis forcave amerikane dhe ruse mbi patrullimin në atë pjesë të vendit janë rritur këtë vit dhe, sipas kapitenit të marinës amerikane Bill Urban, masat kanë si qëllim “sigurinë e forcave të koalicionit”, raporton ATSh.

“SHBA nuk kërkojnë konflikte me asnjë komb tjetër në Siri, por ata do të mbrojnë forcat e koalicionit nëse është e nevojshme”, theksoi Urban, një zëdhënës i qendrës të komandës amerikane.

“Këto përforcime janë një sinjal i qartë për Rusinë që t’i përmbahet procesit të ndërsjellë të çtensionimit të situatës”, theksoi zyrtari amerikan.