Media në Hungari: Taktikat tërhiq e mos e këput të Orbanit

Media në Hungari: Taktikat tërhiq e mos e këput të Orbanit

Vazhdon ofensiva e qeverisë hungareze nën drejtimin e Viktor Orbanit kundër medias së pavarur vendase. Të prekurit thonë se liria e fjalës dhe e shprehjes janë nën presion në rritje.

Poster reklame me logon e "Klubrádio", radio stacioni i vetëm në Hungari që ende kritikon qeverinë

I pari ishte portali më i madh i lajmeve në vend. Pastaj një gazetë tradicionale javore. Rishtazi, radioja e vetme e pavarur që kishte mbetur. Peizazhi mediatik i Hungarisë po pëson ndryshime drastike: binzesmenë të afërt me qeverinë ndërhyjnë që publikime të pavarura të përshtaten me linjën e qeverisë, autoritetet i detyrojnë të heshtin edhe zërat e fundit të pavarur.

Rasti i fundit ka të bëjë me stacionin e lajmeve "Klubrádio". Autoriteti shtetëror i mediave NMHH, i cili është në dorë të besnikëve të kryeministrit Viktor Orban, njoftoi në fund të javës së kaluar, se nuk do t'ia rinovonte licencën e transmetimit, e cila skadon në shkurt të vitit të ardhshëm. Arsyeja: transmetuesi ka shkelur vazhdimisht dispozitat e ligjit për media.

Bastioni i fundit i gazetarisë së pavarur radiofonike

Njoftimi e shokoi sidomos atë pjesë të publikut hungarez që është kritik ndaj qeverisë , por gjithashtu ka të ngjarë të ketë befasuar edhe mbështetësit e moderuar të partisë Fidesz të Orbanit. Për shkak se "Klubrádio" ka qenë prej kohësh bastioni i fundit i gazetarisë së pavarur investikative në Hungari, radioja e vetme në këtë vend të BE-së që është ende kritike ndaj qeverisë kishte një audiencë të madhe edhe në qarqet qeveritare. "Është pothuajse e sigurt që do të mbyllemi," i tha György Bolgár, prezantuesi më i njohur i stacionit, Deutsche Welles. "Unë nuk mendoj se kemi një shans tjetër".

Arsyet e dhëna nga Autoriteti i Medias për moszgjatjen e licencës së transmetimit janë fare të parëndësishme: ndër të tjera, "Klubrádio", thotë NMHH, nuk e paska informuar NMHH-në në kohën e duhur për përqindjen e muzikës hungareze dhe të huaj në program, ndërsa shkelje shumë më serioze të medias proqeveritare nuk dënohen aq ashpër. "Autoriteti mund të kishte thënë thjesht se nuk na pëlqen analisti i "Klubrádio"-s, András Arató."

Fyerje për median e pavarur

Rasti i "Klubrádio"-s është kulmi i një ofensive të qeverisë Orbán kundër medias se pavarur. Ajo filloi në pranverë me "Indeksin", deri atëherë portali më i lexuar i lajmeve në Hungari. Kompania Indamedia, e cila administron të ardhurat dhe biznesin e reklamave të "Indeksit", mori si menaxher Miklós Vaszily, i cili ishte i afërt me qeverinë. Ai paraqiti një plan për riformimin e ekipit editorial. Pasi ky bëri rezistencë, në fund të korrikut, kryeredaktori Szabolcs Dull, u shkarkua.

Ditë më vonë pothuajse i gjithë ekipi editorial dha dorëheqjen në shenjë solidariteti. Që atëherë, "Indeksi", i cili më parë shkëlqente përmes raportimit të mençur dhe investigativ, është bërë vetëm një hije e vetvetes. Ish-ekipi editorial dëshiron të hapë javët e ardhshme një portal të ri të pavarur me emrin "Telex" dhe aktualisht po rekruton mbështetës. Nëse "Telex" do të arrijë ndonjëherë  të ketë të njëjtën domethënie që ka "Indeksi", kjo pritet të shihet në te ardhmen.

Nuk mund të ketë dyshim se "Indeksi" e trazoi shumë Orbanin dhe sistemin e tij. Një vit më parë, portali trajtoi rastin e një skandal seksual, ku ishte  përfshirë një kryetar bashkie në Hungarinë veri-perëndimore, çka fliste për arrogancën dhe hipokrizinë morale në radhët e partisë kristiane-nacional-konservatore "Fidesz"  Ajo më pas i humbi zgjedhjet lokale në pothuajse të gjitha qytetet kryesore në Hungari.

Kryeredaktori duhej të largohej

Pas këtij rasti me "Indeksin", një tjetër kryeredaktor u përjashtua në një medium tjetër - këtë herë ai i së përjavshmes tradicionale liberale "168 óra". Péter Rózsa duhej të largohej nga gazeta, sepse në të ishte botuar një fotografi gjoja private e familjes Orbán. Orbáni, të cilit i pëlqen të paraqitet si një njeri i mirë familjar, shumë kohë më parë, e kishte vendosur në internet fotografinë, e cila është shumë e njohur në Hungari,

Rózsa ishte pushuar nga puna nga Pál Milkovics, një sipërmarrës i afërt me qeverinë, i cili hyri në "168 óra" si bashkëpronar, në korrik të këtij viti. Më saktësisht: në kompaninë "Brit Media", e cila është në sferën e ndikimit të mbrojtësit më fanatik të qeverisë, Rabbit Slomó Köves. "Brit Media" ka blerë pjesë në disa media të pavarura hungareze në vitet e fundit. Më pas tek ato nisi të vihej re një raportim më i butë - ose mungesa e investigimeve për aferat korruptive në sistemin e Orbanit.

Këto manovra sipërmarrëse, të cilat shpesh zhvillohen në heshtje dhe për periudha të gjata kohore, janë pjesë e taktikës shkallë-shkallë të Orbanit për t'i zbutur mediat pak nga pak. 

Me "Klubrádio" çështja është ndryshe - këtu është Autoriteti Shtetëror i Medias që vepron si të ishte një krah i zgjatur i qeverisë.

"Klubrádio" dikur transmetohej në të gjithë vendin, por menjëherë pasi Viktor Orbani mori postin në vitin 2010, nisi të kufizohej shtrirja gjeografike e sinjalit. Shumë shpejt stacioni kapej vetëm në kryeqytet, Budapest. Në të njëjtën kohë, autoriteti i ri i mediave NMHH filloi një luftë të vërtetë kundër radios. Pas vitesh nëpër gjyqe dhe falimentim financiar, "Klubrádio" fitoi sërish të drejtën e transmetimit.

Logjika e një sistemi diktatorial njëpartiak

Sidomos bisedat dhe telefonatat në mbrëmje janë të njohura për çështjet e rëndësishme politike që trajtojnë, mbi të cilat të ftuarit nga të gjitha kampet politike mund të shprehin pikëpamjet e tyre. "Ne po shqetësojmë," i tha moderatori György Bolgár DW-se. "Dhe është në logjikën e paskrupullt të një sistemi diktatorial njëpartiak për të varrosur gjithçka që shqetëson ose për ta thithur atë."

Fakti që ekipi editorial i "Indeksit" u rebelua kundër kësaj logjike, tërhoqi një vëmendje të madhe ndërkombëtare - dhe njohje në formën e një çmimi: Të enjten (17.09.2020), ish-kryeredaktori i "Indeksit" Szabolcs Dull mori çmimin e medias Potsdam M100. Fjala e rastit u mbajt nga Komisionerja i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq. "Është një nder për ne që po e marrim këtë çmim," tha Dull për DW. "Por çmimi nuk më takon mua, por ekipit editorial të "Indeksit". Unë jam i kënaqur me këtë shenjë solidariteti në një kohë kur vlerat evropiane të lirisë së fjalës dhe shprehjes po kalojnë një kohë gjithnjë e më të vështirë në Hungari."/DW