Italia mban zgjedhjet, referendum për reduktimin e deputetëve e senatorëve

Italia mban zgjedhjet, referendum për reduktimin e deputetëve e senatorëve

Miliona italianë i janë drejtuar kutive të votimit për të shkurtuar numrin e përfaqësuesve të tyre në parlament dhe për të përcaktuar drejtimin politik të 7 rajoneve të vendit.

Referendumi dhe zgjedhjet rajonale nisën të dielën dhe do vijojnë deri mesditën e së hënës, transmeton oranews.

Me referendumin, italianët do të shprehen pro ose kundër idesë për të reduktuar numrin e deputetëve nga 630 në 400 dhe numrin e senatorëve nga 315 në 200.

Shkurtimi i 345 mandateve në total pritet t’i sjellë dhjetëra milionë euro kursime buxhetit të shtetit.

Njëherësh Italia po zgjedh guvernatorët e rajoneve të Kampanjës, Ligurias, Markes, Pulias, Toskanës, Vale d’Aostës dhe Venetos, bashkë me kryebashkiakët e gati 1 mijë qendrave të tjera.

Sikurse vitin e kaluar, kandidatët me origjinë shqiptare janë të shumtë në numër, ndërsa kandidatët e “Ligës” së Mateo Salvinit pritet të avancojnë përballë rivalëve demokratë në pushtet.

“Mendoj se ka për të pasur vështirësi prej masave antikovid, ca ngadalësime, dhe kjo mund të bëjë që njerëzit e pamotivuar të mos paraqiten fare për votim.

“Shpresojmë që këtë herë më në fund do shqitim ngjitësin që i mban këta parlamentarë të lidhur pas karriges. Pastaj do i vijë radha sistemit të ri elektoral.”

“Italia ka shumë probleme. Këto zgjedhje ndoshta nuk i adresojnë aq sepse ato janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë.”

Këto janë zgjedhjet e para në Itali që mbahen në kohë pandemie, megjithëse autoritetet raportojnë së fundmi një rritje të rasteve të infeksionit me kovidin-19.

Për shkak se një në tre votues të Partisë “Liga” dhe asaj “Demokratike” janë mbi 65 vjeç, pjesëmarrja pritet të jetë më e ulët se zakonisht nga frika e sëmundjes, edhe pse për të moshuarit dhe shtatzënat, janë mundësuar procedura më të shpejta për votim.

Deri më sot, virusi në vend ka vrarë rreth 36 mijë njerëz.