Libani në pritje të qeverisë së re

Libani në pritje të qeverisë së re

Kryeministri i emëruar i Libanit, Moustapha Adib u kërkoi sot forcave politike të lehtësojnë krijimin e një qeverie të re, parashikuar fillimisht javën e kaluar, por që ende nuk është arritur për shkak të mungesës së marrëveshjes mes protagonistëve.

“Partitë politike libaneze u angazhuan në fillim të shtatorit të formojnë një kabinet të përbërë nga ministra kompetentë dhe të pavarur brenda një afati dy javor për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike”, njoftoi presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Bejrut.

Por, procesi është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me shpërndarjen e portofoleve ministrore.

Pengesa kryesore vjen nga lëvizja shiite e armatosur Hezbollah, peshë e rëndë e politikës libaneze dhe aleatit të tij Amal, drejtuar nga kreu i Parlamentit, Nabih Berri, i cili kërkon protofolin e Financave.

Kryeministri i emëruar u kërkoi të gjitha forcave politike të punojnë menjëherë dhe pa vonesa për iniciativën e suksesshme franceze, që i hap rrugën shpëtimit të Libanit dhe i jep fund përkeqësimit të situatës së përgjithshme.

Që prej një viti Libani ka kaluar një nga krizat më të këqija ekonomike, sociale dhe politike në historinë e tij, i shënuar nga një kolaps i monedhës së tij kombëtare, hiperinflacioni dhe varfërimi në shkallë të gjerë i popullsisë.

Kriza u amplifikua nga pandemia COVID-19 dhe shpërthimi tragjik më 4 gusht në portin e Bejrutit, i cili katalizoi mobilizimin e komunitetit ndërkombëtar./atsh/