Arabia Saudite do t’i largojë kufizimet për pelegrinazhin e Umres

Arabia Saudite do t’i largojë kufizimet për pelegrinazhin e Umres

Agjencia zyrtare e lajmeve në Arabinë Saudite njoftoi se ky shtet do t’i largojë në mënyrë graduale kufizimet në udhëtime për pelegrinazhin e Umres duke filluar nga pjesa e parë e tetorit.

Vendimi për lejimin e kryerjes së Umres, që është pelegrinazh më i vogël se haxhillëku, erdhi pas gati gjashtë muajve të ndalimit.

Duke filluar nga data 4 tetor, sauditët dhe banorët e huaj në Arabinë Saudite do të lejohen që ta kryejnë Umren në Xhaminë e Madhe në Mekë me kapacitet prej 30 për qind të numrit të zakonshëm të njerëzve ose nga 6,000 persona në ditë, bëri të ditur agjencia SPA, duke e cituar një burim të Ministrisë së Brendshme.

Për më tepër, nga data 18 tetor, Arabia Saudite do të lejojë nga 15,000 pelegrinë në ditë që t’i kryejnë Umren dhe lutjet në xhaminë e profetit Muhamed në Medine, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.