Turqi, politika ul pasojat e pandemisë

Turqi, politika ul pasojat e pandemisë

Rritja e rasteve të koronavirusit në Turqi ka nxitur tensione mes doktorëve që akuzojnë shtetin për minimizim të situatës dhe politikanëve, që mendojnë se po u sabotohet puna nga mjekët.

 

Vendi po raporton përditë më shumë se 1,600 të infektuar dhe 60 viktima të reja, bilanc i pakrahasueshëm me kulmin e muajit prill por sërish 4 herë e gjysmë më i lartë sesa në gusht.

Në protestat e kësaj jave, doktorët turq vendosën shirita të zinj në kujtim të kolegëve të ndarë nga jeta në frontin e luftës pas infektimit nga pacientët me sëmundjes vdekjeprurëse.

Doktori Halis Jerlikaja, është ndër anëtarët e Shoqatës vendore të Mjekëve dhe mendon se qeveria turke nuk po tregohet transparente për sa i përket përmasave të pandemisë.

“Qeveria ia ka lënë fajin njerëzve dhe barrën, punonjësve në shëndetësi. Shifrat nuk reflektojnë realitetin. Në bazë të rezultateteve nga testet molekulare, numri real i pacientëve mund të jetë 10 herë më i lartë, ndërsa ai i vdekjeve, të paktën 3 herë më shumë sesa zyrtari.”

Partia nacionaliste aleate me presidentin Reçep Taip Erdoan, ka kërkuar shpërbërjen e shoqatës së mjekëve dhe gjykimin penal të anëtarëve të saj për shpërndarjen të informacioneve false.

Ndërkohë, Ministria turke e Shëndetësisë i ka hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se nuk e ka nënvlerësuar ndonjëherë rrezikun e koronavirusit, as përhapjen e infeksionit në javët e fundit.

“Revoltohem çdo ditë kur shoh numrin në rritje të pacientëve në gjendje kritike, dhe e kam thënë se situata është kritike. Rastet kritike janë rritur 100 për qind nga muaji i kaluar.”

Megjithatë, dyshues për shifrat e autoriteteve turke shprehen edhe vetë qytetarët.

“Personalisht nuk besoj që të dhënat janë të sakta sepse së fundmi vetëm në Ankara kishim 1 mijë raste, ndërsa ministria në total raportoi 1.070 për gjithë vendin.”

“Pa dyshim e dimë që nuk janë të sakta. Mendoj se shifrat reale janë 4 ose 5 herë më të larta.”

Në Turqi jetojnë rreth 83 milionë njerëz dhe deri tani janë konfirmuar gati 300 mijë raste me kovidin-19, përpos 7,600 personave të tjerë që kanë humbur jetën.