Qindra të arrestuar në protestat në Bjellorusi

Qindra të arrestuar në protestat në Bjellorusi

Policia në Bjellorusi arrestoi qindra vetë dhe përdori gazin lotsjellës dhe granatat e tymit në protestsat e së dielës kundër regjimit të Alyaksandr Lukashenkës.

Në kryeqytetin Minsk, rreth 100,000 vetë dolën në rrugë me flamujt e opozitës, të kuq dhe të bardhë, duke brohoritur “fashist” dhe “turp”.

Protesta pati edhe në qytetet Homel, Hrodna e të tjera.

Grupi i të drejtave të njeriut në Bjellorusi, Vyasna, publikoi emrat e 341 personave të ndaluar të dielën.

Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë raporton se Ministria e Brendshme në Bjellorusi pranoi ndalimin e "rreth 200" protestuesve në të gjithë vendin.

Protestat në Bjellorusi kanë nisur qysh pas zgjedhjeve të 9 gushtit, në të cilat Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë presidencial.

Sipas opozitës, protestuesve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet janë manipuluar në favor të tij.

Protestat e së dielës kanë qenë të 50-tat me radhë.

Lukashenka është në pushtet qysh në vitin 1994.

Ai ka akuzuar disa vende të Perëndimit për përpjekje “për ta shkatërruar vendin e tij”.

Policia bjelloruse ka shtypur dhunshëm protestat.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin Lukashenkën si president të Bjellorusisë./REL