Uashingtoni: Azerbajxhani dhe Armenia të ndërpresin menjëherë konfliktin

Uashingtoni: Azerbajxhani dhe Armenia të ndërpresin menjëherë konfliktin

SHBA-ja i kërkoi Azerbajxhanit dhe forcave separatiste të Nagorni-Karabahut, të mbështetura nga Armenia të ndërpresin menjëherë armiqësitë, në këtë rajon të diskutueshëm, skenë e përplasjeve me armë që prej vitit 2016.

“Numri dy i departamentit amerikan të Shtetit, Stephen Biegun u bëri thirrje dy palëve të kërkonin ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive, të përdorin mjetet komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të shmangin çdo veprim apo gjuhë që do të rriste tensionet në terren”, sipas një komunikate të diplomacisë amerikane.

“SHBA dënon në mënyrë të fuqishme përshkallëzimin e dhunës”, thuhet në deklaratën në të cilën shprehen ngushëllime për familjet e atyre që kanë humbur jetën në përleshje.

Më tej në komunikatë theksohet se zëvendëssekretari i Shtetit, Stephen Biegun ka zhvilluar biseda me ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov dhe me ministrin e Jashtëm të Armenisë, Zohrab Mnatsakanyan ku të dyja palëve u bëri thirrje për t’i dhënë menjëherë fund përleshjeve.

Pas njoftimit të luftimeve të para të dielën në mëngjes, kryeministri armen, Nikoll Pachinian dekretoi mobilizimin e përgjithshëm dhe krijimin e ligjit ushtarak, siç bënë edhe autoritetet në Karabah.

“Le të mbështesim me vendosmëri shtetin tonë, ushtrinë tonë dhe ne do të fitojmë”, shkroi ai në Facebook.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliev, gjithashtu, premtoi fitore.

“Ushtria azere po lufton sot në territorin e saj, po mbron integritetin e saj territorial, po i jep goditje shkatërruese armikut. Kauza jonë është e drejtë dhe ne do të fitojmë”, tha ai në një fjalim në televizion.