Holanda rikthen obligimin për vendosjen e maskave

Holanda rikthen obligimin për vendosjen e maskave

Qeveria e Holandës ka ndryshuar kursin të mërkurën në pozicionin që e kishte mbajtur gjatë kundër rekomandimit të mbajtjes së maskave në vende publike, pasi rastet e reja me koronavirus kanë arritur shifra rekorde dhe shumica parlamentare ka bërë thirrje për veprime vendimtare, shkruan Reuters.

“Ne duam që t’i japim Holandës këshilla të qarta dhe urgjente: nga tash, mbani maskë në hapësirë publike”, ka thënë kryeministri i Holandës, Mark Rutte, gjatë debatit në parlament ku anëtarët e koalicionit qeverisës kanë bërë thirrje për ndryshime, përcjell Albinfo.ch.

Lëvizja ka ardhur pasi shteti është duke përjetuar valën e dytë të infeksioneve me COVID-19, ku rastet kanë kaluar shifrën ditore të 3000 këtë javë.

Holanda sot ka raportuar për shifër rekorde ditore, prej 3294 rasteve të reja me koronavirus. Numrat ditor të rasteve kanë arritur shifra rekorde për gati çdo ditë që nga mesi i shtatorit dhe kaluan shifrën 3000 për herë të parë të martën.

Rutte dhe top-eksperti mjekësor i Holandës kishin argumentuar që nga fillimi i pandemisë kundër dobisë së mbajtjes së maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke nxitur kohëve të fundit edhe një reagim të ekspertit amerikan Anthony Fauci në një prononcim në televizion holandez.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar përdorimin e maskave që nga qershori për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19 kur mbajtja e distancës sociale nuk është e mundur. Holanda dhe Suedia janë ndër shtetet e pakëta që kanë refuzuar këtë këshillë.

Kreu i Institutit Nacional në Holandë për Shëndetin Publik (RIVM), Jaap van Dissel, ka argumentuar se nuk ka dëshmi shkencore për efikasitetin e maskave jo-mjekësore, dhe se ato mund të shkaktojnë më tepër dëm sesa të mirë duke ofruar një ndjenjë false të sigurisë. Këtë javë, programi televiziv holandez Nieuësuur e pyeti Faucin se si SHBA-ja do t’i përgjigjej Van Disselit.
“Do t’i kërkoja të shikojë të dhënat për rëndësinë dhe efikasitetin e maskave. Mbajtja e maskave është po aq e rëndësishme sa mbajtja e distancës fizike dhe evitimi i turmës”, ka thënë Fauci.

Mbajtja e obligueshme e maskave ka qenë e pamundur në Holandë për shkak të garancive kushtetuese të lirive personale dhe ligjit të miratuar së fundi të vitit 2019 të njohur si “ndalimi i burkas”.

Duke pasur për qëllim të ndalonte gratë myslimane nga mbajtja e mbulesave të fytyrës në vende publike, ligji ka qenë synim i partisë konservative VVD të Ruttes për më tepër se një dekadë.

Amsterdami dhe qytetet tjera holandeze kanë prezantuar mbajtjen e obligueshme të maskave në gusht në baza “eksperimentale”. Disa shitore kanë filluar t’i kërkojnë ato sërish këtë javë, në një lëvizje që ka shkaktuar konfuzion.