Britani, kryeministri Johnson nën kritika të forta para Parlamentit

Britani, kryeministri Johnson nën kritika të forta para Parlamentit

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u përball me një akt të rrallë kritike nga kryetari i Dhomës së Komunëve për trajtimin me mospërfillje të deputetëve, pasi vuri në zbatim masa të forta kufizuese kundër COVID-it, pa u lejuar parlamentarëve mundësinë për t’i rishikuar.

Pak para sesionit të përjavshëm me pyetje drejtuar kryeministrit, Lindsay Hoyle, kryetar i Dhomës së Komuneve e kritikoi zotin Johnson për hartimin e rregulloreve “në mënyrë shumë të pakënaqshme”.

Zoti Hoyle tha se disa prej masave kufizuese ishin bërë publike dhe u ishin dërguar ligjvënësve pak orë para se të hynin në fuqi dhe disa rregullore të tjera ishin paraqitur pasi ishin vënë në zbatim. Kryetari Hoyle tha se këto akte tregojnë mungesë të plotë konsiderate për Dhomën e Komuneve.

Kryetari arriti të mbajë nën kontroll një tentativë për rebelim brenda Partisë Konservatore të zotit Johnson, ku më shumë se 50 anëtarë kërcënuan se do të bashkoheshin me një lëvizje të opozitës që kërkonte autoritetet më të gjerë për të vendosur mbi masat në të ardhmen. Ligjvënësit e kanë akuzuar kabinetin qeveritar se po qeveris “me dekrete”.

Por ligjvënësit nuk patën mundësi të votonin për propozimin pas kryetari i dhomës vendosi se nuk mjaftonte koha për një debat të mirëfilltë mbi këtë temë.

Më vonë të mërkurën, gjatë një konference për shtyp, zoti Johnson tha se qeveria nuk do të hezitojë të vërë në zbatim masa edhe më të forta kundër pandemisë nëse shihet si e nevojshme.

Britania raportoi 7,143 raste të reja me koronavirus të martën, numri më i lartë i infeksioneve të reja brenda një dite në këtë vend që ka aktualisht numrin më të madh të viktimave nga COVID-19 në Evropë.

Në disa zona të Britanisë, sidomos në verilindje ku po shtohen ritmet e infektimeve, janë vendosur masa më të forta për kontrollin e sëmundjes. Britania ka raportuar 42,233 të vdekur nga virusi, duke u renditur në vend të pestë në shkallë globale.