Nën zjarrin e luftimeve në Nagorno Karabak, shumë të vdekur

Nën zjarrin e luftimeve në Nagorno Karabak, shumë të vdekur

Aleksandr Melkumyan ka mbetur në një tokë të përgjakur jashtë shtëpisë së tij në fshatin Martuni në Nagorno Karabak.

Familja e tij etnike armene është goditur nga një predhë artilerie, më 27 shtator.

“Atë ditë në mëngjes, ata bombarduan këtu”, thotë Melkumyan, duke treguar tokën e lagur me gjak. “Këtu ndodheshin vjehrra ime, gruaja ime dhe fëmija im 1 vjeç e 7 muajsh”.

 

“Fëmija 7-vjeçar i fqinjit tim u vra. Vjehrra ime u vra. Gruaja ime u plagos dhe u dërgua në një spital në Stepanakert”, thotë Melkumyan.

Dy gra të tjera të fshatit janë plagosur dhe janë dërguar në një spital, 40 kilometra larg, në kryeqytetin e rajonit të shkëputur të Azerbajxhanit, Stepanakert.

“Shikoni atje, këpucët e tyre janë ende atje”, thotë Melkumyan, duke qarë.

“Gruaja ime e plagosur ishte shtrirë pikërisht këtu. Fëmija im i vogël ishte shtrirë këtu. Vjehrra ime këtu, e vdekur. Fëmija 7-vjeçar ishte shtrirë i vdekur atje. Dy fqinjët e mi mbeten atje të plagosur. Pastaj, predhat goditën shtëpinë dhe hambarin. Kështu nisi mëngjesi ynë”, rrëfen Melkumyan.

Të nesërmen, derisa predhat vazhdonin të binin në Martuni, artileria e forcave etnike armene goditi disa fshatra të kontrolluar nga Azerbajxhani në qarkun Tatar, në veri të Stepanakertit.

Pjesa më e madhe e Tatarit ka qenë nën kontrollin e forcave separatiste armene qysh në vitin 1994, kur Azerbajxhani dhe autoritetet de facto të Nagorno Karabakut kanë arritur një armëpushim, që i ka mundësuar rajonit të shërbejë si “tampon zonë” përgjatë Vijës së tensionuar të Kontaktit.

Në pjesët e këtij qarku, të kontrolluara nga Azerbajxhani, shumica e fshatarëve janë evakuuar kur luftimet në “konfliktin e ngrirë” kanë shpërthyer përsëri më 27 shtator.

Një ditë më vonë, më 28 shtator, predhat e hedhura nga forcat armene po zbarkonin në fshatin Shikharkh. Zyrtarët azerbajxhanas thanë se dy civilë u vranë atje, kur predha goditi një ndërtesë shumëkatëshe në fshat.

Një predhë tjetër goditi një ndërtesë që shpërndan ngrohjen për ndërtesat e banimit në Shikharkh.

Fshatarja vendase, Hijran Amrahova, thotë për shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë se edhe nëse luftimet vihen nën kontroll në javët në vazhdim, dëmi do t’ua bëjë të vështirë mbijetesën shumë banorëve në Shikharkh, gjatë dimrit.

“Kjo ndërtesë siguron ngrohje për banorët. Gjithashtu ujë të ngrohtë. Shikoni, dera është shkatërruar dhe rezervuarët metalikë të ujit janë dëmtuar. Ata nuk mund t’i bëjnë asgjë ushtrisë sonë, andaj vrasin civilë dhe e bëjnë të pamundur jetesën këtu”, thotë Amrahova.

Më në veri, në Gashalti – në rajonin Naftalan të kontrolluar nga Azerbajxhani – granatimet nga forcat armene vranë fshatarin Elbrus Gurbanov dhe katër anëtarë të familjes së tij, derisa ishin strehuar në shtëpi.

Ka raporte të shumta për viktima civile edhe në fshatra të tjerë në dhe përreth Nagorno Karabakut, si dhe përgjatë kufirit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Ministria e Jashtme e Armenisë thotë se viktima e parë civile në tokën armene, që nga fillimi i luftimeve, është regjistruar më 29 shtator, kur qyteti Vardenis është sulmuar nga artileria e Azerbajxhanit.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka thënë se sulmi ishte në përgjigje të bombardimeve nga një njësi artilerie e ushtrisë armene në Vardenis, e cila kishte në shënjestër rajonin Dashkesan, brenda Azerbajxhanit. Armenia e ka mohuar këtë pretendimin të Bakusë./REL