11:23 / 06.10.2020
Shefi i NATO-s, Stoltenberg takon Erdogan, ndalet edhe në Greqi
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ndalet sot në Greqi ku pritet të diskutohet për raportet e tensionuara me Turqinë sa i përket situatës në ujërat e Mesdheut Lindor.
Aleanca ka bërë me dije se të dyja vendet kanë instaluar një mekanizëm ushtarak për të shmangur një përplasje të mundshme në det.
Përpara udhëtimit në Athinë Shefi i NATO-s u takua në Ankara me presidentin e Turqisë Erdogan ku diskutua edhe për situatën në rajonin e Nagorno-Karabakh ku vijojnë luftimet pa kursyer edhe civilët.
Ndërsa Stoltenberg bëri thirrje për armëpushim, Turqia i kërkoi Aleancës Euroatlantike që të kërkojë tërheqjen e forcave armene nga rajoni i diskutueshëm.
Turqia, anëtare e NATO-s ka premtuar solidaritet të plotë me Azerbajxhanin.























