Kryeministri francez: Jemi brenda një vale të dytë të fuqishme të COVID-19
"Jemi brenda një vale të dytë të fuqishme. Nuk mund të ketë më lehtësim të masave", tha kryeministri francez, Jean Castex.
Kryeministri i Francës, Jean Castex deklaroi se janë duke e përjetuar një valë të dytë të fuqishme të koronavirusit të ri (COVID-19) dhe se nuk do të ketë më lehtësim të masave, transmeton Anadolu Agency.
Castex në programin drejtpërdrejt të France Info tha se në vend ka filluar të përkeqësohet rrjedha e pandemisë dhe se vazhdon rritja e pacientëve të shtruar në kujdesin intensiv në spitale. Ai shtoi se brenda 15 ditëve mund të marrin masa të reja në kuadër të luftës kundër pandemisë.
"Jemi brenda një vale të dytë të fuqishme. Nuk mund të ketë më lehtësim të masave", u shpreh ai.
Kryeministri francez tërhoqi vëmendjen se vala e dytë po përjetohet në Evropë dhe në botë, duke shtuar se mund të vendoset orë policore në bazë rajonale.
Castex i ftoi francezët që t'i ndjekin masat në mënyrë më rigoroze.
Më 10 tetor vendi raportoi 26.896 raste të reja, numri më i lartë ditor në vend dhe Evropë që nga fillimi i pandemisë.























