Ministri Olaf Sholc: Të gjithë bashkë për rimëkëmbjen e ekonomisë së BE-së
Gjermania mendon se ekonomia e eurozonës mund të rikthehet në nivelet para krizës epidemike brenda dy viteve nëse liderët europianë punojnë së bashku.
Këtë javë, Fondi Monetar Ndërkombëtar pritet të publikojë përditësimet për rritjen ekonomike për 2020-ën, pasi në qershor organizata paralajmëroi se tkurrja mund të shkojë mbi 10 për qind.
Për ministrin gjerman të Financave, Olaf Sholc, efektet e pandemisë i ka zbutur disi solidariteti që shtetet anëtare treguan për vendet më të goditura, transmeton oranews.
Kjo synohet të arrihet me rënien dakord për të financuar mbi 1 trilionë euro deri në vitin 2027 dhe për të marrë hua 750 miliardë euro të tjera për grante e kredi për dëmet nga koronavirusi.
“Fakti që Europa po bashkëvepron po e ndihmon vërtet ekonominë por po ndihmon edhe në aspektin që tani të gjithë e kuptojnë se Europa është e zonja ta luftojë këtë krizë. Unë jam i idesë se jemi të fortë dhe se Europa vetë do të dalë më e fortë nga kjo.”
Parlamenti Europian prej muajsh nuk po bie dakord për projektet e propozuara, duke kërkuar më shumë financime për sektorë si shëndetësia, infrastruktura apo mjedisi, dhe për ta kushtëzuar shpërndarjen e fondeve për vendet që kanë nivel më të dobët demokracie dhe sundimi të ligjit, siç janë Polonia apo Hungaria.
Sholc shpreson që shtetet anëtare do ta votojnë buxhetin e BE-së brenda muajit tetor.
“Jam optimist se do t’i zgjidhim problemet që paratë të jenë gati për përdorim nga fillimi i vitit të ardhshëm. Kemi edhe presidencën e BE-së ndaj po punojmë intensivisht t’i bindim të gjithë se kjo është koha për kompromis.”























