Norvegjia akuzon Rusinë për sulme kibernetike në Parlament
BKT
   Bota

Norvegjia akuzon Rusinë për sulme kibernetike në Parlament

Norvegjia ka akuzuar Rusinë se fshihet pas një sulmi kibernetik, që goditi parlamentin në verën e këtij viti.

Më 24 gusht, parlamenti norvegjez ra pre e një sulmi të fuqishëm kompjuetrik, por parlamenti nuk arriti të zbulonte origjinën e tij.

Sulmi kibernetik u lejoi autorëve të shkarkonin dhe të futeshin në e-mailet dhe të dhënat e “një pjese të vogël të deputetëve dhe punonjësve”.

“Në bazë të informacioneve që qeveria ka arritur të mbledhë, ne besojmë se pas këtij sulmi qëndron Rusia”, tha të martën ministrja e jashtme norvegjeze Eriksen Soreide.

“Ky është një episod që ka prekur institucionin tonë më të rëndësishëm demokratik”, shtoi Soreide gjatë një deklarate, përcjellë euronews.albania.

Por ambasada ruse në Oslo i ka mohuar këto akuza duke i quajtur si “provokime serioze”.

“Nuk është shfaqur asnjë provë. Ne i konsiderojmë këto akuza kundër vendit tonë si të papranueshme”, deklaroi ambasada duke shtuar se ishte në pritje të “shpjegimeve” nga Norvegjia.

“Rusia është pre e miliona sulmeve kibernetike çdo vit, por kjo nuk i jep vendit tonë të drejtën për të fajësuar pa dallim autoritetet e vendeve të origjinës së tyre të mundshme”, shtoi ambasada.

Pretendimet e Norvegjisë vijnë në një periudhë ku marrëdhëniet mes dy vendeve janë të acaruara, pasi vendi nordik dëboi një diplomat rus nën akuzat e spiunimit.

Rusia u hakmor duke dëbuar një diplomat norvegjez disa ditë më vonë.