Portugalia drejt ligjërimit të mbajtjes së maskës në ambientet e jashtme
Qeveria portugeze njoftoi sot qëllimin e saj për t’i kërkuar Parlamentit që të ligjërojë përdorimin e detyrueshëm të maskës në ambientet e jashtme, si edhe shkarkimin e një aplikacioni për gjurmimin e kontakteve.
“Ne do të paraqesim në Kuvendin e Republikës një projektligj, me natyrë urgjente, i cili e bën të detyrueshme mbajtjen e maskës në ambientet e jashtme, kur ka persona të tjerë në këto ambiente”, tha kryeministri portugez Antonio Costa pas një takimi me kabinetin, ku u morën një sërë masash për frenimin e epidemisë së COVID-19.
Deri më tani, përdorimi i një maske në rrugë është rekomanduar në situata kur është e pamundur të respektohen rregullat e distancimit shoqëror.
Ekzekutivi socialist, gjithashtu, dëshiron të bëjë të detyrueshëm shkarkimin dhe përdorimin e aplikacionit të gjurmimit të kontakteve, i krijuar nga autoritetet portugeze, të paktën në kontekstin profesional, shkollor, akademik, si edhe brenda policisë dhe forcave të armatosura dhe pastaj në të gjitha administratat publike./atsh























