Republikanët kërkojnë sqarime nga Twitter për Joe Bidenin

Republikanët kërkojnë sqarime nga Twitter për Joe Bidenin

Në Shtetet e Bashkuara, senatorët republikanë thanë të enjten se do të thërrasin shefin ekzekutiv të rrjetit social Twitter Jack Dorsey, për të dhënë sqarime mbi vendimin për të bllokuar një artikull që kritikonte kandidatin presidencial demokrat Joe Biden.

“Kjo është ndërhyrje në zgjedhje dhe jemi 19 ditë larg zgjedhjeve,” tha senatori Ted Cruz, një ditë pasi rrjeti social bllokoi artikullin e gazetës New York Post, që pretendon korrupsion nga zoti Biden në Ukrainë.

Senatori Cruz tha se Komisioni Juridik i Senatit do të votojë të martën e ardhshme për të thirrur zotin Dorsey që të dëshmojë në fund të javës së ardhshme dhe “të shpjegojë se pse Twitter po e shpërdoron fuqinë e vet si korporatë për t’i mbyllur gojën shtypit”. “Komisioni Juridik i Senatit do të dijë se çfarë po ndodh,” tha ai.

“Twitter dhe Facebook dhe milionerë të mëdhenj të teknologjisë nuk kanë të drejtën të censurojnë shprehjen politike dhe të ndërhyjnë në mënyrë aktive në zgjedhje. Por ata po bëjnë pikërisht këtë”, tha ai. Senatori republikan Josh Hawley njoftoi veçmas se ai i kishte dërguar letra zoti Dorsey dhe shefit ekzekutiv të Facebook-ut Mark Zuckerberg duke u kërkuar atyre që të paraqiten para Nënkomisionit Juridik për Krimin dhe Terrorizmin.

Seanca dëgjimore do të “konsiderojë shkeljet e mundshme të ligjit të fushatës” në mbështetje të zotit Biden me bllokimin e artikullit. Artikulli i New York Postit pretendonte të ekspozonte marrëdhënie korruptive nga ana e zotit Biden dhe djalit të tij Hunter Biden në Ukrainë. Sipas gazetës, ish-nënpresidenti, i cili ishte përgjegjës për politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës, ndërmori veprime për të ndihmuar djalin e tij, i cili në 2014-2017 ishte anëtar në bordin e kompanisë së debatueshme ukrainase të energjisë, “Burisma”.

Por burimi i gazetës për informacionin ngrinte pikëpyetje. Gazeta citonte informacion të marrë nga një disk që pretendohej se ishte kopjuar nga një kompjuter që thuhej se ishte braktisur nga Hunter Biden, që avokati i zotit Trump, Rudy Giuliani ia kishte dhënë Postës. Artikulli ngrinte gjitashtu pretendime në lidhje me veprimet e zotit Biden në Ukrainë, të cilat ishin në kundërshtim me informacionin e konfirmuar.

Duke patur parasysh fushatat e “lajmeve të rreme”, si Facebook edhe Twitter thanë se morën masa të nisur nga pikëpyetjet rreth artikullit dhe burimeve të tij. “Kjo është pjesë e procesit tonë standard për të minimizuar përhapjen e keqinformimit,” tha zëdhënësi i Facebook, Andy Stone. Roli i zotit Giuliani, i cili ka përsëritur vazhdimisht teori konspirative të paprovuara dhe të pambështetura me burimet rreth familjes Biden dhe në lidhje me Ukrainën, shkaktoi gjithashtu shqetësim.

Fushata e zotit Biden hodhi poshtë pohimet për korrupsion në artikull, por nuk e ka mohuar vërtetësinë e materialeve themelore, kryesisht mesazhe elektronike midis Hunter Bidenit dhe partnerëve të biznesit. Presidenti Trump, i cili është pas zotit Biden në sondazhe 19 ditë para zgjedhjeve presidenciale, sulmoi dy gjigantët e mediave sociale të mërkurën. “E tmerrshme që Facebook dhe Twitter bllokuan artikullin me emaile që demaskonin Joe Bidenin e fjetur dhe djalin e tij, Hunter, në @NYPost,” shkruante zoti Trump në Twitter.