Aeroplani i parë simbolik komercial nga Izraeli aterroi në Bahrejn

Aeroplani i parë simbolik komercial nga Izraeli aterroi në Bahrejn

Zyrtarë të lartë izraelitë dhe amerikanë zbarkuan në Bahrejn sot në fluturimin e parë simbolik komercial midis Tel Aviv dhe Manama, një muaj pas nënshkrimit të një marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Boeing 737 u ngrit nga Tel Aviv këtë mëngjes dhe u ul tre orë më vonë në Manama, konfirmoi Ministria e Jashtme e Izraelit.

Fluturimet e para tregtare "reale" për turistët dhe njerëzit e biznesit nga Izraeli dhe Bahrejni do të jenë një nga temat e planifikuara të negociatave dypalëshe dhe takimeve të punës. Ata gjithashtu do të diskutojnë mbi diplomacinë, mjekësinë, teknologjinë, tregtinë dhe turizmin.

Izraeli nënshkroi një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar për të normalizuar marrëdhëniet me Bahrejnin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Egjipti u bë shteti i parë arab që nënshkroi një marrëveshje paqeje me Izraelin në vitin 1979, dhe Jordania e dyta në vitin 1994. Asnjë shtet tjetër arab nuk i normalizoi marrëdhëniet me Izraelin deri në muajin e kaluar.

Duke nënshkruar marrëveshjen, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni shkelën parakushtet e Lidhjes Arabe të vitit 2002, sipas të cilit Izraeli së pari duhet të njohë një shtet të pavarur palestinez dhe Jerusalemin Lindor kryeqytetin e tij.

Palestinezët e zemëruar e konsiderojnë këtë veprim si një tradhti. Izraeli, nga ana tjetër, ka rënë dakord vetëm të shtyjë aneksimin e planifikuar të pjesëve të Bregut Perëndimor të okupuar, për të cilin palestinezët pretendojnë të drejtën.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare së Izraelit Meir Ben Shabat, i cili udhëhoqi delegacionin izraelit sot, tha se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator do të "shndërrohet në plane konkrete".